21:04 / E Shtunë, 07 Tetor 2017 / indeksADMonline

Vuçiq i “lumtur” që foli 25 minuta në telefon rusisht me Putinin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se me presidentin rus, Vladimir Putin ka biseduar për të gjitha temat me rëndësi në raportet e Serbisë dhe Rusisë.

Vuçiq për “Kurir” ka thënë se me Putinin ka biseduar në telefon rreth 25 minuta dhe atë në gjuhën ruse.

“Kemi biseduar për të gjitha temat e rëndësishme në raportet Serbi-Rusi, për MIG-at (aeroplanët ushtarakë) rusë dhe të gjithë marrëveshjet e mëhershme. Ka qenë shumë i mirëkuptueshëm dhe ka shprehur falënderimin edhe për popullin serb dhe për Serbinë”, ka thënë Vuçiq, transmeton lajmi.net.

Ai ka shtuar se biseda ka zgjatur rreth 20-25 minuta dhe se gjatë gjithë kohësh është folur në gjuhën ruse.

“Dorë në zemër, përkthyesi ka reaguar vetëm një herë ose dy. Ia urova ditëlindjen jubilare të 65-të dhe i urova shëndet të mirë, sukses politik në zgjedhjen e problemeve në botë dhe avancimin e mëtutjeshëm të raporteve me vendin tonë”, ka shtuar Vuçiq.

“Jam i sigurt se nën udhëheqjen tuaj, Serbia dhe populli serb do të përparojnë”, ka theksuar shefi i shtetit serb.

Ajo që vërehet në këtë bisedë është “mungesa e temës për Kosovën”. Si rrallë herë, Vuçiq dhe Putin nuk kanë biseduar për “çështjen e Kosovës”.

Serbia tashmë ka nisur një fazë të re të dialogut të brendshëm për Kosovën dhe kjo mund të jetë edhe arsye e mos përmendjes së Kosovës në muhabetin ndërmjet dy presidentëve.