Vuçiq i shpërblen serbët e dorëhequr nga institucionet e Kosovës, ia mbush llogaritë bankare!

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka nisur shpërblimin për serbët që u dorëhoqën nga institucionet e Kosovës.
Gjatë ditës së sotme, në katër komunat në veri ka filluar nënshkrimi i disa kontratave mes Serbisë dhe serbëve të larguar nga institucionet e Kosovës, përmes Zyrës për Kosovë.
“Në këtë mënyrë po përmbushet premtimi i bërë nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndaj qytetarëve tanë në Kosovë të larguar nga institucionet, se shteti do të kujdeset për secilën prej tyre dhe se askush nuk do të mbetet pa përkrahje të shtetit”, thuhet në njoftimin e Zyrës për Kosovës.
Me këto kontrata, thuhet se serbët që janë larguar nga institucionet e Kosovës do t’i rregullojnë të gjitha obligimet nga marrëdhëniet punë-juridike, pensionale, sigurime shëndetësore etj.
Pagesa e këtyre përfitimeve do të nisë rregullisht dhe qytetarët do t’i kenë paratë në llogaritë e tyre tashmë në dhjetor.
“Prandaj, të gjitha të ardhurat që kanë marrë në sistemin e Kosovës tani do të vijnë nga shteti i tyre i Serbisë. Në këtë mënyrë shteti dërgoi një mesazh të qartë se populli ynë, që përfaqëson mburojën e qëndrimit dhe mbijetesës në Kosovë, do të mbrohet dhe do të kujdeset dhe do të ketë shtetin e vet”, thuhet tutje në njoftim./Indeksonline/



