Vuçiq kushtëzon: Njëherë Asociacionin, pastaj takimi me Kurtin në Bruksel

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se nuk mund të shkojë në Bruksel për bisedime me Kosovën deri sa të formohet Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
Këtë ai e ka thënë pas deklaratës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme e Siguri, Josep Borrell, i cili ka thënë se së shpejti do t’i ftojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
“Në Bruksel mund të shkojë vetëm si turist, derisa të krijohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, ka deklaruar Vuçiq për RTS.
“Ata mund të thonë çfarë të duan, por duhet të ma tregojnë kuptimin. Nuk i kam shmangur bisedime për asnjë çështje. Por para kësaj, Asociacioni”, ka vijuar ai.
Ndryshe të enjten, kryediplomati evropian, Josep Borrell para nisjes së samitit të krerëve të BE-së ka bërë të ditur se ka ftuar në takim kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq në Bruksel për të shtyrë përpara propozimin e BE-së.
“Propozimi është në tryezë. Unë u kam bërë thirrje dy liderëve që të kthehen në Bruksel – së shpejti, pas disa javësh – në mënyrë që të shtyjnë përpara këtë propozim”, ka thënë Borrell.