22:40 / E Diele, 24 Mars 2019 / indeksADMonline

Vuçiq në 20-vjetorin e bombardimeve: Nuk kujtojmë fjalët e armiqve, por heshtjen e miqve tanë

Sot janë bërë 20 vite nga momenti kur nisën bombardimet e NATO-s.

E mediat serbe shkrimet e tyre i kanë filluar me sirenat që u dëgjuan pikërisht në ora 19:45, 20 vite më parë.

Në këtë 20 vjetor, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq tha se nuk do të harrohet kurrë ajo çfarë “iu bë fëmijëve serb”.

Vuçiq nuk mbajti lotët e tha se qyteti i Nishit ishte bërë krejtësisht një vend tjetër.

“Askush nuk ka mbajtur përgjegjësi për krimet ndaj civilëve serb, por ne kurrë nuk do t’i harrojmë ata që u vranë. Kjo është Serbia sot, pa marrë parasysh se sa është punuar kundër, Serbia është më e fuqishme se sa që ka qenë ndonjëherë, edhe 20 vjet pas bombardimeve, e ardhmja është obligimi ynë”, tha Vuçiq, transmeton Indeksonline.

Vuçiq tutje citoi fjalët e Martin Luther King: Në fund ne nuk do të kujtojmë fjalët e armiqve tanë, por heshtjen e miqve tanë.

“Dhe e vetmja gjë që unë duhet të shtoj është se sigurisht nuk kemi falënderime për ata që ishin kundër nesh. Ne u përballëm vetëm me fuqinë më të madhe ushtarake në botë, me një koalicion të pasur dhe të fuqishëm, me 22 mijë ton bomba. Sot, 20 vjet më vonë, ne përsëri kemi miq. Dhe pra çfarë është krimi ynë? Ne jemi një popull me numër të vogël, krenar, fitues në luftëra të mëdha, të fuqishme, të rëndësishme për mbijetesën tonë, por edhe për pajtim”, tha Vuçiq.

“Mesazhi im në këtë 24 mars është se unë jam mes jush çdo vit dhe pesë vitet e fundit kemi shënuar  këtë datë së bashku. Serbia do të fitojë me numrin e fabrikave të reja, Serbia do vazhdojë me krenari për t’i kujtuar viktimat, ata që kanë dhënë jetën për Atdhe”, tha tutje Vuçiq./Indeksonline/