18:02 / E Diele, 09 Shtator 2018 / indeksADMonline

Vuçiq në Kosovë, lajmi kryesor në rajon – kroatët të zemëruar

Mediat kroate dhe në Bosnje dhe Hercegovinë, me pothuajse asnjë përjashtim, shprehën kritika me pjesën e fjalimit për kryekriminelin Sllobodan Millosheviq dhe përkujtimin se “serbët u vranë për Kninin”, ndërsa një nga mesazhet më të përsëritura është se Serbia kurrë nuk do ta pranojë pavarësinë e Kosovës.

Kështu, gazeta Index.hr shkruan, me titullin “Vuçiqi skandaloz”, se presidenti i Serbisë për kriminelin serb, tha se ishte “një lider i madh”.

Edhe Jutarnji List i Zagrebit shkruan në mënyrë kritike se “Presidenti serb me ardhjen në pushtet donte një Serbi evropiane dhe marrëdhënie të mira me fqinjët, ndërsa me fjalimin e tij skandaloz në Kosovë ai dëshmoi se mendonte për fqinjët e tij njësoj si Millosheviqi: se ata duhet të jenë nën autoritetin e Beogradit, subjektet e saj …” Pak më e moderuar se mediat kroate ishte Aljazeera Balkans, e cila raportoi se Vuçic kishte deklaruar se qëllimi i tij ishte që Serbia të fitonte, për herë të parë pa gjak, pa të vdekur, pa tmerre dhe varre, por me punë. “Ideja është që të ruajmë paqen dhe të përpiqemi, të paktën të përpiqemi të krijojmë ura të besimit ndaj shqiptarëve, të përpiqemi për një marrëveshje edhe kur e dimë se është pothuajse e pamundur, sepse gjithçka tjetër na çon në një katastrofë “, shkruan mediumi boshnjak, duke cituar fjalët e Vuçiq.

Veçernji list nga Zagrebi konstaton se Vuçiq në Kosovë pranoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk është pranë arritjes së marrëveshjes, për shkak të kundërshtimit të bashkësisë ndërkombëtare, sidomos fuqisë më të madhe evropiane-Gjermanisë. Mediumi kroat gjithashtu thotë se vizita e Vuçiqit, megjithëse ai donte të shfaqej si president i cili është “gati të japë jetën” për popullin e tij, ka një sfond tjetër: “Vuçiq, me çdo çmim, kërkon që Serbia të vendosë nën autoritetin e saj Ujmanin, i cili, së bashku me minierën Trepça dhe trafostacionin Valaç ka rëndësi strategjike për Serbinë. Portali nga Sarajeva, Klix shkruan mbi porosinë e Vuçiq në Mitrovicën e Veriut, se është gënjeshtër se nga Beogradi është kërkuar njohja e pavarësisë së Kosovës.