Vuçiq në një takim me Sorensenin: Dialogu me Kosovën të përqendrohet te Asociacioni…dhe te të drejtat e serbëve

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas një takimi në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian (BE), Peter Sorensen, se është thelbësore që dialogu me Kosovën të “kthehet tek obligimi” për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe dhe te mbrojtja e të drejtave të serbëve.
“Politika jonë është politika e paqes, e përkushtuar fuqishëm në kërkimin e zgjidhjeve kompromisi përmes dialogut, por edhe e vendosur dhe e përgjegjshme në mbrojtjen e interesave shtetërore e kombëtare”, shkroi Vuçiq më 26 gusht në Instagram, pas takimit me Sorensenin.
Ai shtoi se “përpjekja për ndalim” të pjesëmarrjes së Listës Serbe në zgjedhjet e ardhshme në Kosovë tregon se “respektimi i të drejtave themelore dhe lirive të veprimit politik të serbëve është i rrezikuar”.
Vuçiq theksoi, gjithashtu, se me Sorensenin zhvilloi një bisedë të hapur, të fokusuar në mundësitë për vazhdimin e dialogut me Prishtinën, si dhe mbi sfidat që lidhen me pozitën e serbëve në Kosovë.
Sorensen, pas takimit me Vuçiqin, do të takohet edhe me drejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.
I dërguari i BE-së për dialogun kishte vizituar Prishtinën më 6 gusht, ku me zyrtarët kosovarë kishte diskutuar për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
I pyetur nga gazetarët mbi gjendjen aktuale të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, Sorensen tha shkurt se procesi është “aktiv”.
Marrëveshja për të cilën bëhet fjalë u arrit mes dy palëve në vitin 2023.
Edhe pse nuk është nënshkruar, BE-ja insiston se marrëveshja është detyruese.
Dokumenti prej 11 nenesh, ndër të tjera, parasheh një nivel të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë, njohjen reciproke të simboleve shtetërore, shmangien e bllokimit nga Serbia të anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, si dhe detyrimin që Prishtina dhe Beogradi të zbatojnë të gjitha marrëveshjet e mëparshme të arritura në dialog.
Rundi i fundit i dialogut Kosovë–Serbi, me ndërmjetësimin e BE-së, u mbajt më 10 qershor.
Pas këtij takimi, në nivel të kryenegociatorëve, Sorensen deklaroi se po bëhen përgatitje për një takim në nivel të lartë.
Takim i tillë mes Kosovës dhe Serbisë nuk është zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023.
Ai takim u mbajt pak ditë para se një grup serbësh të armatosur të sulmonte policinë e Kosovës në Banjskë, afër Zveçanit.