Vuçiq refuzon takimin me delegacionin e Parlamentit Evropian: Po vijnë të paftuar në Beograd
Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se nuk dëshiron të takohet me përfaqësuesit e delegacionit të Parlamentit Evropian (PE) sepse ata “vijnë të paftuar” në Beograd.
Ai u tha gazetarëve gjatë vizitës së tij në Abu Dhabi se nuk do të jetë në Serbi kur të vijnë eurodeputetët sepse ka rënë dakord më parë për detyrimet, por se sigurisht nuk do të takohet me ta.
“Urrejtësit e Serbisë po vijnë dhe kanë rënë dakord që do të vijnë në Beograd dhe nuk na pyetën dhe as nuk na informuan. Ne nuk i ftuam. Ata po vijnë të paftuar (…) Kam detyrime të tjera të planifikuara në Davos. Nuk po i shmang ato, por edhe nëse do të isha në Beograd, nuk do të takohesha me ta”, tha Vuçiq sipas mediumit nova.
Ai tha se dëshiron të takohet vetëm me “njerëz që ia dëshirojnë të mirën Serbisë” dhe se do ta bëjë këtë në Davos.
“Nuk po i shmang, nuk dua të takohem me (Tonina) Piculën, as me (Vladimir) Prebiliçin, as me të gjithë ata. Nuk mendoj se po humbas kohë”, tha Vuçiç.
I pyetur nëse do të ketë pasoja, Vuçiq tha: “Do të ketë pasoja të tmerrshme, ata do të lëshojnë një deklaratë ose rezolutë tjetër”.
Kryetarja e Parlamentit serb, Ana Brnabiç tha dje (e hënë) se delegacioni i Parlamentit Evropian po vjen pa ftesë dhe se nuk do të takohet me ta pasi do të jetë në Estoni në atë kohë.
Misioni i Parlamentit Evropian do të jetë në Beograd nga 22 deri më 24 janar, ndërsa Vuçiq do të jetë më pas në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

