75 Mall Live Search
18:37 / E Premte, 25 Shkurt 2022 / MSH

Vuçiq: Serbia nuk e sheh të rëndësishme vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në një deklaratë për media ka thënë se shteti të cilin e përfaqëson nuk do të ndërmarrë sanksione, pasi nuk i sheh si të nevojshme, raporton Indeksonline.

“Serbia gjatë diskutimeve duhet të menaxhojë mbrojtjen e interesave të saj jetike dhe shtetërore. Republika serbe beson se nuk është e rëndësishme për momentin që të vendosen sanksione ndaj ndonjë shteti, përfshirë Rusinë” ka thënë Vuçiq.

“Si mendoni se do të vendosim sanksione kundër Federatës Ruse? Ata që ishin të vetmit që nuk vendosën sanksione në vitet 1990, kush na shpëtuan në 2015 në Bankën Botërore? Mendoni se keni të drejtë të neglizhoni gjëra të tilla? Atyre që sot janë garantuesi i vetëm i ruajtjes së integritetit të Republikës së Serbisë dhe Rezolutës 1244 në Bankën Botërore? Nuk është e drejtë ndaj njerëzve që nuk kanë bërë kurrë ndonjë gjë të veçantë kundër vendit tonë” ka deklaruar ai.

Tutje ai ka shtuar se Serbia është e gatshme të ofrojë ndihmë humanitare për kombet e dëmtuara, të sigurojë ushqim dhe energji të nevojshme, si dhe të mbrojë shtetasit serbë në territorin e Ukrainës.

“Duke ditur se të gjithë do të mund të thonë diçka kundër, ne bëmë më të mirën e mundshme për vendin tonë. Serbia ka marrë pjesë në shumë luftëra, kemi humbur shumë njerëz. Kjo është arsyeja pse paqja është e nevojshme për ne dhe prandaj nuk do t’i përgjigjemi asnjë deklarate të pakuptimtë nga rajoni. Ne duhet të jemi të bashkuar, për të mbrojtur njerëzit tanë dhe jetën e tyre, për të parë nga e ardhmja, duke respektuar interesat tona dhe ligjin ndërkombëtar dhe miqësitë e kahershme. Në çdo fjalë është bërë shumë përpjekje që të mos dëmtohet Serbia dhe të mos devijohet nga e vërteta dhe normat e së drejtës publike ndërkombëtare. U bëj thirrje qytetarëve të Serbisë të jenë të bashkuar dhe të gjithë kemi vetëm një anë – Serbinë” tha Vuçiq.