75 Mall Live Search
19:13 / E Martë, 02 Shtator 2025 / BA

Vuçiq takohet me Putin në Kinë, ja çka diskutuan

Për herë të parë që kur agjentët e inteligjencës ruse kritikuan ashpër autoritetet serbe për shitjen e armëve në Ukrainë, duke e quajtur këtë një “goditje pas shpine” për Rusinë, Presidenti serb Aleksandar Vuçiq u takua ballë për ballë me shefin e Kremlinit, Vladimir Putin në Kinë, ku të dy shkuan për një paradë ushtarake.

Raporti nga shërbimet ruse të sigurisë u prezantua vetëm tre javë pasi Vuçiq mori pjesë në një paradë ushtarake në Moskë për të shënuar 80-vjetorin e Ditës së Fitores.

Vuçiq i tha Radios dhe Televizionit të Serbisë në atë kohë se ishte formuar një grup pune për të hetuar faktet.

Serbia nuk eksporton armë, vetëm municione, pohoi presidenti serb, shkruan BBC në gjuhën serbe.

Gjatë takimit në Pekin, i cili ishte pjesërisht i hapur për shtypin, as Vuçiq dhe as Putin nuk e përmendën raportin mbi shitjet e armëve, por ata ranë dakord se donin të përmirësonin bashkëpunimin ekonomik.

“Në periudhën e mëparshme, ka pasur një rënie të dukshme në aspektin ekonomik, por ne do të përpiqemi të punojmë vazhdimisht dhe të përmirësojmë rezultatet”, tha Putin.

Ai njoftoi se një seancë tjetër e Komitetit të Përbashkët për Bashkëpunim Tregtar, Ekonomik dhe Shkencor-Teknik midis Serbisë dhe Rusisë do të mbahet në Beograd deri në fund të vitit.

“Jam i kënaqur që ju shoh, President,” i tha Vuçiq i pari.

Ai i përcolli udhëheqësit rus se “bashkëpunimi me Rusinë në të gjitha fushat është i rëndësishëm për Serbinë, veçanërisht në fushën e energjisë”.

“Burimi i gazit është shumë i rëndësishëm për ne,” tha Vuçiq, duke iu drejtuar Putinit gjatë gjithë kohës në rusisht.

Ai ftoi kompani të ndryshme ruse, duke përmendur konkretisht Rosatom, gjigantin rus të industrisë bërthamore, të shkojnë dhe të investojnë në Serbi.

“Të gjitha kompanitë ruse janë të mirëpritura, të gjithë ata që dëshirojnë të marrin pjesë në projekte infrastrukturore në Serbi, përfshirë RZD (Hekurudhat Ruse), Rosatom dhe shumë të tjerë,” shtoi Vuçiq.

Vuçiq tha se që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës në shkurt 2022, Serbia ka qenë “në një situatë të vështirë dhe nën presion të madh, por ne kemi mbajtur një qëndrim parimor – ne jemi i vetmi vend europian që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë”.

“Ne e kemi mbrojtur politikën tonë të pavarur dhe do të përpiqemi të ruajmë neutralitetin”, tha Vuçiq.

Putin më parë tha se “Rusia respekton orientimin e pavarur të Serbisë”.

Bashkimi Europian, të cilin Beogradi e aspiron në mënyrë deklarative, i kërkon vazhdimisht Serbisë të përputhet me politikën e saj të jashtme dhe kjo do të thotë vendosje e sanksioneve ndaj Rusisë.

Përveç Serbisë, Bjellorusia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë, gjë që pritet sepse Minsku dhe Moska janë aleatët të ngushtë.