12:21 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018 / indeksADMonline

Vuçiq thotë se do të takohet me Thaçin në Paris, por me një kusht

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se nuk ka dhënë detaje për propozimin e tij për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pasi nuk ka diçka që do ta pranojë dikush, duke shtuar se gjatë gjithë kohës po kërkon kompromis.

I pyetur se cila është arsyeja që nuk e ka paraqitur planin e tij dhe detajet e paraqitura, ai tha se  arrijnë në një shumëllojshmëri të ideve.

“Në vende të panumërta fola për nevojën për një kompromis dhe kurrë nuk do të flas për detajet derisa të kemi diçka në duart tona. Ndaj një fjalie time, e cila ishte normale, që ne duhet të vendosim kufirin, pasi nuk e di ku është kufiri sot, shumë reaguan. Unë e di atë që shkruhet këtu, por kur të shkoj në Kosovë, më pret një tjetër kufi”, tha ai.

Vuçiq theksoi se ai ishte duke kërkuar për kompromis, i cili do të ishte i dhimbshëm për të dyja palët, pasi do të fitonin dhe do të humbnin diçka.

Ai përsëriti sot se serbët dhe shqiptarët janë larg prej kompromisit dhe është joreale të pritet që 11 nëntori në Paris do të jetë një ditë vendimtare për zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Kreu i shtetit serb megjithatë theksoi se nuk do të ketë zgjidhje pa marrëveshje ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve.

I pyetur nga gazetarët nëse do të takohet me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Paris, Vuçiq tha se do, por në prani të evropianëve.

“Unë do të takoj Thaçin, pasi është më mirë të flasësh, se sa të ndodhin çudira që po ndodhin. Por është joreale të arrihet një zgjidhje”, theksoi ai.