75 Mall Live Search
16:26 / E Hënë, 01 Shtator 2025 / Z S

Vuçiq viziton Pekinin: takime me Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Pekin nga 2 deri më 4 shtator, ku pritet të takohet me presidentin e Kinës, Xi Jinping, dhe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ka njoftuar Presidenca e Serbisë.

Gjatë qëndrimit në Kinë, Vuçiq do të zhvillojë takime edhe me zyrtarë të tjerë të lartë kinezë, si dhe me përfaqësues të kompanive të mëdha ndërkombëtare. Vizita realizohet me ftesë të presidentit Xi Jinping dhe do të përfshijë edhe pjesëmarrjen e Vuçiqit në ngjarjet përkujtimore me rastin e 80-vjetorit të fitores në Luftën e Dytë Botërore.

Në kuadër të aktiviteteve, më 3 shtator Kina do të organizojë një paradë ushtarake për të shënuar dorëzimin zyrtar të Japonisë në vitin 1945. Pjesëmarrjen e tyre në këtë ceremoni e kanë konfirmuar edhe udhëheqës të Koresë së Veriut, Bjellorusisë, Iranit, Kubës, Indonezisë, Mianmarit, Pakistanit, Malajzisë dhe vendeve të tjera.

Sipas Shërbimit të Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, takimi mes Vuçiqit dhe Putinit do të përqendrohet në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht në bashkëpunimin në fushën e energjisë. Ndihmësi i presidentit rus, Yuri Ushakov, ka theksuar se është planifikuar një “shkëmbim pikëpamjesh mbi çështjet kryesore të bashkëpunimit ruso-serb”.

Kujtojmë se më 25 gusht, Vuçiq pati diskutuar me ambasadorin kinez në Beograd, Li Ming, lidhur me agjendën e takimit të ardhshëm me Xi Jinping.

Ky do të jetë takimi i dytë i Vuçiqit me Putinin brenda këtij viti. Në fillim të majit, ai mori pjesë në ceremoninë e Ditës së Fitores në Moskë, ku u takua për herë të parë me presidentin rus që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Zyrtarisht, Serbia deklaron se e mbështet integritetin territorial të Ukrainës, megjithatë nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë. Beogradi këtë qëndrim e arsyeton me mbështetjen politike që Moska i jep Serbisë në çështjen e Kosovës, të cilën ajo nuk e njeh si shtet të pavarur.

Pavarësisht kritikave të përsëritura nga Bashkimi Evropian, Serbia vazhdon të mbajë marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën në fusha të ndryshme – nga mbrojtja e deri te ekonomia dhe politika. BE-ja ka theksuar disa herë se si vend kandidat për anëtarësim, Serbia duhet të harmonizojë politikën e saj të jashtme dhe të sigurisë me atë të unionit.