16:45 / E Mërkurë, 31 Maj 2023 / shkelqim osmanaj

Vuçiqi kërkon nga Erdogani që t’i ndihmojë rreth situatës në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin e Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, fillimisht ai e ka uruar atë për fitoren në zgjedhje. Më pas Vuciq ka kërkuar nga Erdogan që të shfrytëzojë reputacionin dhe ndikimin e vendit të tij pas ngjarjeve të fundit në Kosovë, në mënyrë që paqja dhe stabiliteti mbizotërojnë në rajon.

Vuçiq shtoi se Turqia është një partner jashtëzakonisht i rëndësishëm për Serbinë, jo vetëm në baza bilaterale, por edhe në skenën politike ndërkombëtare.

“Erdogan u interesua për situatën aktuale në Kosovë dhe Vuçiq e informoi për kronologjinë e ngjarjeve që çuan në përshkallëzimin e dhunës kundër komunitetit serb atje”, thuhet në njoftim.

“Shpresoj se, përveç projekteve ekzistuese, do të punojmë së bashku në sipërmarrje të reja që do të përshpejtojnë zhvillimin e fuqishëm të të gjithë rajonit, do të bashkojnë njerëzit dhe do të lidhin ekonomitë”, tha Vuçiq, i cili e ftoi Erdoganin të vizitojë Serbinë.