14:43 / E Mërkurë, 01 Shtator 2021 / LB

Vuçiqi në Bled: Jam i shqetësuar që Kosova do ta fillojë fushatën e njohjeve më 4 shtator

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të mërkurën në Bled të Sllovenisë ku po mbahet Forumi Strategjik se dialogu Kosovë-Serbi do të vazhdojë në nivel teknik.

Ai ka thënë se është i shqetësuar se Kosova do ta fillojë fushatën për njohje më 4 shtator, ditën kur skadon moratoriumi njëvjeçar i nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington gjatë administratës së Donald Trumpit.

“Jam i shqetësuar për informacionin se ata do të fillojnë një fushatë të re më 4 shtator për t’u njohur në organizatat ndërkombëtare. Është puna jonë të përgatitemi për këtë”, u ka thënë Vuçiqi gazetarëve pas pjesëmarrjes në panelin brenda Forumit Strategjik të Bledit, raporton “B92”.

Vuçiqi ka thënë se nuk ka folur me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por ka thënë se vetëm e ka parë atë nga larg.

Presidenti serb ka theksuar se Ballkani Perëndimor do të jetë më shumë në agjendën e Bashkimit Evropian.