75 Mall Live Search
12:36 / E Hënë, 13 Maj 2024 / S Z

Vuçiqi telefonoi kancelarin Scholz, u bisedua edhe për Kosovën

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se ka pasur një bisedë telefonike me kancelarin gjerman Olaf Scholz, me të cilin, sikundër tha ai, ka pasur një shkëmbim të hapur mendimesh për çështjet me interes të përbashkët, si dhe për situatën në Kosovë.

Ai, përmes rrjetit social Instagram njoftoi për bisedën me kancelarin gjerman Scholz, ku, sipas tij, kanë shkëmbyer mendime për çështjet delikate në kontekstin e ngjarjeve aktuale globale, por edhe për, siç tha ai, rolin e Serbisë në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si dhe për rrugën evropiane që duhet të ndjekë Serbia.

“Kancelarin Scholz e informova në detaje për gjendjen pothuajse të padurueshme për komunitetin serb në Kosovë, si dhe për shmangien e vazhdueshme të Prishtinës për të përmbushur detyrimet e saj të pranuara dhe të nënshkruara, veçanërisht në lidhje me formimin e Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe”, ka thënë Vuçiq.

Më tej, ai shtoi se Serbia avokon për intensifikimin e aktiviteteve diplomatike në kuadrin e të gjitha konflikteve aktuale dhe çështjeve të hapura që rëndojnë Evropën dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.