Vuçiqit i ndalohet hyrja në Kroaci, acarohen Bërnabiq e Vulin: Të gjithë zyrtarët kroatë do t’i nënshtrohen një regjimi të veçantë kontrolli

Presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, iu ndalua hyrja në Kroaci pasi ky i fundit nuk lajmëroi ambasadën e as zyrtarët serb në Kroaci mbi vizitën e tij.
Madje, autoritetet kroate e konsideruan këtë vizitë e tij si tentim për të krijuar kaos në Kroaci.
Lidhur me këtë kanë reaguar dy nga krerët e Serbisë, kryeministrja Ana Bërnabiq dhe ministri i Punëve të Brendshme, Aleksandar Vulin.
Sipas Bërnabiq, ky është një vendim skandaloz.
“Është një vendim antievropian dhe anti-civilizues dhe një nëpërkëmbje brutale e lirisë së lëvizjes. Le të mos analizojmë se sa shumë thotë për mosrespektimin e viktimave serbe”, tha Bërnabiq në një paraqitje televizive.
Në anën tjetër, akoma më i acaruar nga ky vendim duket të jetë ministri i Brendshëm, Vulin.
“Duke filluar nga sot, të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë mbajtësit e pasaportave zyrtare apo diplomatike do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën ose kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.”
Kështu thuhet në vendimin e marrë të ministrit Vulin.
Sipas burimeve të gazetës kroate “Jutarnji list”, Vuçiq kontaktoi presidentin e SDSS-së, Milorad Pupovac dhe i tha atij se po planifikonte një vizitë private në Jasenovac.
Siç pretendon gazeta, “qëllimi ka qenë të provokojë palën kroate në prag të përvjetorit të ‘Stuhisë’”.
“Pa informacion zyrtar për autoritetet kroate, pa koordinim me ambasadën, presidenti i Serbisë ka dashur të kalojë kufirin nga Bosnja dhe Hercegovina dhe të vijë në Jasenovac rreth orës 11:00 dhe më pas në Pakrac rreth orës 14:00″ Shkruan Jutarnji list.