Vuk Jeremiqit i ndalohet hyrja në Kosovë

Ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, i është ndaluar hyrja në Republikën e Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz.
Sipas saj, vizita e Jeremqiit kishte natyrë të planit riintegrues, e që i ngjan “recetës për luftë”.
“MPJD e Republikës së Kosovës ka ndaluar hyrjen në Kosovë të ish-MPJ të Serbisë, Jeremiq. Mbështetja e Jeremiqit për “riintegrimin” e Kosovës së pavarur dhe sovrane në Serbi është e ngjashme me planin “riintegrues” të Putinit për Ukrainën – është një recetë për luftë” ka deklaruar Gërvalla-Schwarz.

Në njoftimin e MPJD-së thuhet se Kosova nuk do të tolerojë urrejtjen dhe agresionin kundër një shteti paqësor dhe demokratik evropian.
“Kosova është dhe do të mbetet e pavarur dhe sovrane, përkrahëse e fortë e perspektivës evropiane dhe NATO-s dhe në kufi me Serbinë. Kosova dhe fqinjët e tjerë të Serbisë, të cilët ende nuk janë anëtarësuar në BE, as nuk janë sferë e ndikimit të Serbisë, dhe as nuk do të „riintegrohen“ ndonjëherë në „Botën Serbe“ të Vuçiçit dhe Putinit” thuhet në njoftimin zyrtar të MPJD-së.