12:46 / E Hënë, 26 Tetor 2020

Vullnetarja Koci flet për Agon Musliun: Në kontrollin e orës 12:00 askush, nga ekipi mjekësor, nuk e vizitoi atë

Po vazhdon intervistimi i vullnetarëve në Qendrën e Studentëve e cila gjatë fillimit të pandemisë ishte shndërruar në karantinë për të gjithë të ardhurit jashtë vendit.

Para Komisionit hetimor parlamentar në lidhje me menaxhimin e pandemisë së virusit korona, ka folur njëra nga vullnetaret e kësaj qendre, Enkela Koci, e cila ka treguar se si kanë qenë të ndara punët e vullnetarëve gjatë marsit e deri në mbyllje të kësaj karantine.

Koci ka folur për rastin e vdekjes së studentit Agon Musliu, i cili pasi ra nga ballkoni i dhomës ku po qëndronte kishte ndërruar jetë.

Ajo tregoi se në kontrollin e orës 12:00 askush nga ekipi mjekësor nuk e kishte kontrolluar atë.

 “Kam filluar punën në karantinë, më 20 mars deri në përfundim me 31 maj. Detyrat nuk kanë qenë të përcaktuara dhe më vonë është ndarë ekipi mjekësor dhe i logjistikës ku kemi pasur obligim kontrollet mjekësore t’ua bënim të të karantinuarve me pa nëse kanë sëmundje ose nevojë për barna. Kontrollet në orën 12 dhe orën 18. Atë ditë kam qenë duke marrë shënime për të karantinuarit dhe kemi qenë në sallë dhe kanë ardhur, na kanë treguar një person kishte rënë prej ndërtesës”, ka thënë ajo.

Ndërsa pas pyetjeve të deputetit Shkumbin Demaliaj, Koci ka thënë se atë ditë në orën 12:00 askush nuk shkuar tek Agoni, pasi thotë se kur ka pasur raste me urgjencë, vizita te njerëzit është shtyrë.

Pas saj ka raportuar edhe një vullnetare tjetër. Bëhet fjalë për  Edita Sadriun, e cila ka thënë se në ditën kritike Agon Musliu nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim, porse vetë nuk kishte qenë tek ai.

“Ne i kemi pasur të ndarë konviktet. Atë ditë kemi pasur fluturime të reja dhe atë ditë unë kam hyrë brenda në konvikt. Në konviktin nr. 7 kam hyrë për dikë tjetër prej orës 12 deri në 15 e 45 dhe kam dalë e kam njoftuar ekipin mjekësor. Agoni atë ditë nuk ka shprehur ndonjë shqetësim. Te personi që ka kërkuar asistencë kam ndejtë që të mos e lija vetëm, derisa ka ardhur ekipi mjekësor, por te Agoni s’kam qenë”, tha Sadriu.