Vushtrri – Skenderaj: Do të punësohen mbi 20 persona me aftësi të veçanta

Në komunën e Vushtrrisë dhe atë të Skenderajt do të punësohet mbi 10 persona me aftësi të veçanta, në secilën komunë.
Përmes projektit “ Rritja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara përmes zbatimit të planit lokal të veprimit për punësimin e tyre në Skenderaj dhe Vushtrri” në dy komunat do të rritet numri i të punësuarve nga kjo kategori, shkruan IndeksOnline.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.
Postimi:
Bashkë për mbështetje të personave me nevoja të veçanta në Vushtrri e Skënderaj
Në sallën e Kuvendit të Komunës, bashkë me Kryetarin e Skënderajt, z. Bekim Jashari, përfaqësues të HENDIKOS- Vushtrri dhe HENDIKOS – Skenderaj dhe përfaqësues të Qendrës Kosovare për Vetë përkrahje, prezantuam projektin “Rritja e punësimit të personave me aftësi të kufizuara përmes zbatimit të planit lokal të veprimit për punësimin e tyre në Skenderaj dhe Vushtrri”.
Përmes këtij projekti do të punësojmë mbi 10-të persona me aftësi të veçanta në komunën e Skenderajt dhe mbi 10-të në Vushtrri.
Ky është një lajm i jashtëzakonshëm në një vit të rëndë nga pandemia Covid 19, e që padyshim më bënë të lumtur sepse sa do pak do t’iu ndihmojmë kësaj kategorie të shoqërisë sonë.
Përveç punësimit ky projekt përfshinë edhe trajnime për këtë kategori dhe përkrahje me grante për bizneset që punësojnë persona nga kjo kategori.
Kështu, me angazhimin e institucioneve tona publike dhe bizneseve në dy komunat tona do të arrijmë që të rrisim numrin e të punësuarve nga kjo kategori.
E falënderoj Kryetarin Jashari, përfaqësuesin e Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësuesin e Qendrës Kosovare për Vetë-Përkrahje, Valon Ismaili si dhe HENDIKOS-in në Skenderaj dhe Vushtrri, për bashkëpunim dhe kontributin e dhënë në realizimin e këtij projekti.
I tërë projekti financohet nga Zyra e BE-së në Kosovë, Komuna e Vushtrrisë dhe Komuna e Skënderaj.
Urime