Vushtrria kërkon mbetjen në Superligë nëse ndërprehet kampionati

Pandemia e koronavirusit ka pezulluar futbollin kosovar që prej 13 marsit.
Rifillimi i kampionatit mbetet ende një enigmë pasi skuadrat kosovare do të kenë mundësinë që vetëm nga 1 qershori t’i rikthehen stërvitjeve.
E në rast të mbylljes së parakohshme të kampionatit, skuadra e Vushtrrisë ka kërkuar mbetjen ne elitën e futbollit kosovar.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i klubit, Bekim Musliu për gazetën “Olle”.
“Me takimet e fundit që kemi pasur me FFK-në nuk është diskutuar fare për rënie ose diçka të ngjashme. Ne asnjëherë nuk do të kërkojmë që me vetë dëshirë të zbresim nga Superliga. Vushtrria pret që të mbetet në elitë në rast të anulimit të kampionatit, pasi ftojmë të ndjeken kampionatet si në Francë dhe Holandë”, tha Musliu.

Vushtrria nuk gjendet fare mirë në renditjen tabelore.
Pas 22 xhirosh, kjo skuadër ka grumbulluar vetëm 16 pikë dhe gjendet në pozitën e parafundit.
Më keq se vushtrriasit, qëndron vetëm skuadra e Dukagjinit e cila numëron vetëm dhjetë pikë në 22 takime.