75 Mall Live Search
14:42 / E Martë, 21 Tetor 2025 / Z S

VV dhe Nisma drejt marrëveshjes? Dugolli: Do të gjendet një formë e bashkëpunimit

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli, ka thënë se Nisma Socialdemokrate ka treguar vullnet për bashkëpunim dhe se ky hap është në interes të vendit.

Ai është shprehur optimist se do të gjendet një formë e bashkëpunimit që do të çojë drejt formimit të Qeverisë Kurti III.

“Nisma ka qenë e hapur për bashkëpunim, ne e vlerësojmë këtë vullnet të tyre – për shkak se është në interesin e vendit. Ata vazhdojnë të jenë të hapur për bashkëpunim, për ndërtimin e institucioneve, në këtë radhë për formimin e qeverisë”, tha Dugolli në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.

Ai shtoi se, ndonëse ka pasur deklarime nga përfaqësues të Nismës se nuk do të bashkëpunojnë me Vetëvendosjen për sa kohë që Dimal Basha mbetet kryetar i Kuvendit, ato i konsideron si “deklarime të çastit”.

“Ka pas deklarime që me Bashën si kryetar nuk bashkëpunojnë, por unë i quaj deklarime të çastit, për shkak se partneritetet nuk ndërtohen me kushtëzime”, tha më tej ai.

Dugolli theksoi se nuk ka informacion të drejtpërdrejtë nëse aktualisht po zhvillohen bisedime me Nismën, pasi këtë proces e po e udhëheq një grup më i ngushtë i Kryesisë së VV-së.

“Po besoj që do të gjendet një formë e bashkëpunimit, e cila do të përmbyll këtë cikël të zhvillimeve politike me formimin e Qeverisë Kurti III”, përfundoi ai.

Kujtojmë se më herët, në studion e njëjtë, deputetja e Nismës Socialdemokrate, Arbreshë Krasniqi, kishte deklaruar se VV nuk mund të ketë bashkëpunim me Nismën për sa kohë që Dimal Basha nuk dorëhiqet nga posti i kryetarit të Kuvendit.

Krasniqi ka theksuar se për Nismën Socialdemokrate, Basha nuk është i denjë për këtë pozitë.