VV fton edhe opozitën në dialog, AAK-ja përgjigjet pozitivisht
Ka kaluar më shumë se një vit prej kur janë pezulluar bisedimet Kosovë-Serbi, e tash kur pritet që të formohet qeveria e re, kërkohet që të ketë një përfshirje të të gjitha partive në procesin e dialogut.
Partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje dhe lideri i saj Albin Kurti, ka deklaruar se dialogun do ta udhëheqë ai, ndërsa, ka thënë se do t’i ftojë të jenë pjesë e delegacionit edhe partitë opozitare.
Ramush Haradinaj, kryeministër në detyrë dhe kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, për KP deklaron se edhe pse do të jenë në opozitë do të përkrahin qeverinë e re në çdo temë të interesit nacional.
I pyetur se a është AAK-ja e gatshme të bashkëpunojë me qeverinë dhe të jetë pjesë e delegacionit shtetëror për bisedimet, Haradinaj i tha KosovaPress-it se e përkrahin vendin dhe se në tema të interesit nacional duhet të jenë të gjithë bashkë.
Përveç AAK-së, KP ka provuar të marrë një qëndrim edhe nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, parti të cilat do të jenë në opozitë, por zyrtarë të dy partive nuk i janë përgjigjur interesimit të redaksisë se a do të pranojnë të jenë pjesë e delegacionit për bisedimet me shtetin serb.
Konsensus dhe përfshirje të të gjitha partive politike në procesin e dialogut po kërkon shoqëria civile dhe analistët politikë.
Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se vazhdimisht kanë kërkuar që spektri politik të ndërtojë një konsensus sa më të gjerë rreth çështjes së dialogut Kosovë-Serbi.
Ajo thotë se kanë kërkuar që Kosova të ketë një qëndrim unik të saj, i cili është i mbështetur nga të gjitha institucionet e vendit.
Krasniqi shton se partitë politike në vend duhet të bëhen bashkë në procesin e dialogut. Kjo sipas saj, do të ndikonte edhe në pozitën e Kosovës në këto negociata.
Se duhet të ketë gjithëpërfshirje në procesin e dialogut e thotë për KosovaPress edhe politologu Ramush Tahiri, sipas së cilit, dialogu me shtetin serb është çështje kombëtare dhe duhet të përfshihen të gjithë.
Procesi i dialogut Kosovë-Serbi është ndërprerë në nëntor të vitit 2018, kur Kosova ka vendosur taksë 100 përqind për produktet që importohen nga Serbia.