12:35 / E Hënë, 25 Janar 2021 / A. S

VV-ja dorëzon kallëzim penal ndaj Likajt dhe dy zyrtarëve të tjerë të MASh-it

Lëvizja Vetëvendosje njofton se deputeti Fitim Uka, ka dorëzuar në Prokurorinë Speciale një kallëzim penal ndaj ministrit të  Arsimit dhe Shkencës dhe dy zyrtarëve të kësaj ministrie, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“Më 09 nëntor 2020, Ministria e Arsimit dhe Shkencës, si autoritet kontraktues, ka shpallur njoftimin për tenderin: “Blerja e pajisjeve për mbrojtjen e objekteve arsimore për qëndrueshmëri dhe blerja e pakove të nevojshme për fusha lëndore dhe mirëmbajtje, ku vlera e parashikuar për këtë tender ka qenë 2.880,000.00 euro”.

“Gjatë publikimit të listës së parë të çmimeve kjo ministri kishte kërkuar 887 pozicione me produkte dhe sasi të caktuara. Trembëdhjetë ditë më vonë kjo listë fshihet nga platforma e prokurimit dhe publikohet lista e re me vetëm 43 pozicione, ndërsa vlera e parashikuar e tenderit mbeti e njëjta. Më 31 dhjetor 2020, MASHT-i publikon njoftimin për nënshkrimin e kontratës me operatorët ekonomikë në vlerë prej 2.850,309.00 euro, me derivim të lejuar indikativ prej +/-30% të vlerës së kontratës”.

“Shkeljet kryesore ligjore, që sot po i dorëzojmë si kallëzim penal në Prokurorinë Speciale janë: zyrtarët përgjegjës kanë zhvilluar procedurën dhe kanë lidhur kontratën e sipërpërmendur në kundërshtim me parimet e prokurimit publik nga nenet 6 dhe 7 të ligjit…”.

“Zyrtarët përgjegjës nuk kanë siguruar shpenzim efikas dhe të drejtë të parasë publike sipas nenit 6.1 të ligjit, sepse kanë botuar listë të çmimeve me pozicione të përsëritura, kanë ndryshuar listën e çmimeve, duke zbritur numrin e produkteve nga 887 në 43 pa e modifikuar buxhetin e paraparë, si dhe kanë vazhduar procedurën për blerjen me çmim sa gati katërfish çmimi i tregut. Zyrtarët kanë shkelur gjithashtu neni 6.2 të ligjit, duke porositur sasi që nuk përkojnë me qëllimin e kontratës”.

“Zyrtarët përgjegjës nuk kanë zhvilluar procedurë transparente e jodiskriminuese sipas nenit 7 të Ligjit të prokurimit. Zyrtarët kanë vepruar në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, çka cenon parimin e ligjshmërisë të paraparë me Kushtetutë dhe me Ligjin për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore dhe agjencive të pavarura”.

“Si rrjedhojë, në besojmë se ka dyshime të arsyeshme që ministri i MASHT-it dhe zyrtarët përgjegjës me veprimet ose mosveprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në njoftimin e LVV-së.