75 Mall Live Search
08:37 / E Hënë, 01 Mars 2021 / OSH

VV-ja e quan skandal dhe të rrezikshëm revokimin e urdhërarrestit ndaj Radoiçiqit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar lidhur me revokimin e urdhërarrestit ndaj Milan Radoiçiqit, i dyshuar për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal.

Vetëvendosje thotë se një vendim i tillë i Gjykatës Themelore përbën skandal dhe rrezik, duke thënë se kushdo që ka marrë këtë vendim të papritur, e sheh si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës.

“Kushdo këtë veprim të papritur e sheh me dyshim dhe si larje të borxheve të mëhershme apo kusht për aleancat e reja të nëntokës e parapolitikës. Prokuroria Speciale dhe Gjykata Themelore duhet t’i shpjegojnë publikut të Kosovës se pse nuk u dashka arrestuar më një kriminel. Po ashtu i bëjmë thirrje Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të veprojnë. Rasti në fjalë është skaji i pasigurisë që mundet të shkaktojë për rendin publik ata që duhet ta mbrojnë atë. I bëjmë thirrje po ashtu organeve të sigurisë dhe atyre ligjzbatuese të jenë vigjilente përballë kësaj ngjarje”, thuhet në reagimin e VV-së.