14:53 / E Premte, 09 Mars 2018 / indeksADMonline

VV kërkon korrigjim pastaj ratifikim të demarkacionit

Së pari duhet të ndodhë korrigjimi i kufirit me Malin e Zi, e pastaj të bëhet ratifikimi i tij. Nëse ndodhë e kundërta që ratifikimi t’i paraprijë korrigjimit, kjo është pikërisht mënyra e pamundësisë së korrigjimit.

Kështu u tha në tryezën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje, me temë “Shënimi i kufirit me Malin e Zi – Korrektimi para ratifikimit”.

Shefi i Grupit parlamentar  i VV-së, Glauk Konjufca tha se nëse është konkluduar se ka gabime në shënimin e kësaj vije kufitare, atëherë së pari duhet të bëhet korrigjimi dhe pastaj ratifikimi.

“Nëse konkludojmë se ka gabime, bile dhe presidenti tha që mund të ketë pasur gabime. Atëherë konkludimi im është se së pari duhet të ndodhë verifikimi i gabimeve, kjo do të thotë që korrigjimi i paraprinë ratifikimit. Nëse ndodhë e kundërta që ratifikimi  t’i paraprijë korrigjimit, kjo është pikërisht mënyra e pamundësisë së korrigjimit. Pra korrigjimi vdes si mundësi. Nëse hedhet poshtë një version i gabueshëm i demarkacionit me shumicë votash në Kuvend, ky është akt sovran pa kurrfarë rreziku. Nëse ratifikohet një marrëveshje e gabueshme dhe pastaj ka përpjekje post festum për ta prekur atë, pala e dëmtuar ka gjasë të cilësoj këtë si agresion territorial që qon në tensione dhe prishje e marrëdhënieve dhe politike dhe diplomatike”, tha ai.  .

Ndërkaq Ali Lajçi, deputet nga Lëvizja Vetëvendosjes dhe ish anëtar i Komisionit Qeveritar për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi, thotë se pika e kufirit është në Qakorr dhe se Qeveria bashkë me komisionin e  hershëm,  ka marrë mandat të gabueshëm dhe ka vepruar gabimisht, duke krijuar kështu një vijë të re kufitare.

“Në qoftëse dikush sot kërkon që në mënyrë paqësore në Kuvend ne ta votojmë rrudhjen e territorin, me vullnet tonë,  është për ta marrë djalli atë dhe do ta mallkojë historia sepse është fakt se territori i Kosovës po rrudhet në mënyrë drastike. Ne do të jemi konsekuent dhe nuk do të bëjmë një shkarje të tillë, sepse kemi përgjegjësi historike, institucionale dhe morale. Do t’u tregoj një hartë të Malit të Zi dhe është zyrtare…Shikoni ku i kemi ne vijat kufitare sipas kësaj harte, ku e kemi Pejën me territor. I shkrun graniçki prelaz. Në Shqipëri e kemi me qafen e prushit. Shkojmë dalim ku e keni Qakorr, pika është në Qakorr, dhe dalim më tej është pika tjetër Kulla, e që është pikë kufitare… Nuk do ta votojë rrudhjen e territorit të Republikës së Kosovës. Po bëjë thirrje çfarëdo seance që ka komplikime dhe po tregon që një punë e keqe që u nis mbrapsht dhe duhet të përfundoj mbrapsht. Kjo me ra në zero.. Edhe nëse ratifikohet larg asaj, kjo vijë kufitare nuk do ta kontrolloj atë pjesë të territorit Mali i Zi, asnjëherë  dhe do të prodhoj kriza dhe konflikte dhe përgjegjësinë do ta kenë ato institucione ata gishta të mallkum që eventualisht do ta votonin në Kuvendin e Kosovës, në mënyrë vullnetare rrudhjen e territorit”, tha ai.

Lideri i VV-së, Albin Kurti, tha se në kohet e fundit janë dy zhvillime pozitive dhe dy propozime për gabim në hapa. Dy zhvillimet pozitive, sipas tij, është gatishmëria e Malit të Zi që të bisedojë dhe gatishmëria e presidentit Hashim Thaçi, për ta pranuar gabimin, por thotë se nuk duhet gabuar në hapa, pasi që së pari duhet të korrigjohet vija kufitare e pastaj të ratifikohet.

Ratifikimi i demarkacionit, sipas tij, mund të bëhet ditën që Kosova e përmbush dhe kriterin tjetër për liberalizim, siç është luftimi i krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“ I kemi dhe dy propozime për gabim në hapa. Së pari duhet të bëhet ratifikimi i kësaj marrëveshje me gabime, e pastaj korrigjimi i gabimeve. Ky është gabim në hapa, kur ka gatishmëri nga Mali i Zi për të biseduar, e kur ka gatishmëri nga presidenti Thaçi për të pranuar gabimin, së pari vjen korrigjimi pastaj ratifikimi. Ratifikimi para korrigjimit është gabim në hapa dhe do t’i minonte zhvillimet pozitive që kanë ndodhur. Gabimi i dytë në hapa që ka ndodhur është se në këto dy kriteret e mbetura për liberalizimin e vizave, ne duhet doemos ta përmbushim njëherë ratifikimin e demarkacionit Meha apo delimitimit Meha, e më pas luftimin e krimit e korrupsionit me vendime të prera të gjykatave në Kosovë.  Përderisa luftimi i krimit dhe korrupsionit  është proces, e ratifikimi  akt, ne besojmë që procesi duhet të përmbyllet e më pastaj akti e jo anasjelltas. Të dy kriteret t’i plotësojmë brenda një jave por jo këtë javë. Vetëm atëherë kur ta përmbyllim  luftimin e krimit dhe korrupsionit, po atë javë le ta ratifikojmë  demarkacionin”, tha ai.

Kurti po ashtu kërkon që të ndërmerren hapa tjerë si një debat parlamentar për raportin e Komisionit Bulliqi, të nxirret një deklaratë e Kuvendit të Kosovës për fqinjësi të mirë me Malin e Zi dhe me kërkesë për rishqyrtim të marrëveshjes. Përmes kontakteve të drejtpërdrejta diplomatike t’i kumtohet mos pajtueshmëria Malit të Zi me metodologjinë e përcaktimit të kufirit dhe të fillohet iniciativa e re për një proces të ri të demarkimit, si dhe një hetim parlamentar për marrëveshjen, gjithë rrjedhën, rolin dhe përgjegjësinë e faktorëve të involvuar në këtë proces.

Kurti po ashtu kërkon që të mbahet dhe në konferencë ndërkombëtare lidhur me procesin e përkufizimit dhe shënjimit  të kufirit në Kosovë, regjion e më gjerë, si rast për shpalosjen e gjithë të vërtetës.

Profesori Zejnullah Gruda, i cili ka qenë dhe pjesë e komisionit të Bulliqit, thotë se kanë fakte, të cilat nuk mund të ua rrezojë askush.

“Nuk është e vërtetë që s’kemi fakte. Ne kemi mjaftë fakte, të cilat nuk ka me mund me i rrëzu kërkushi, kurrë sa të ketë njerëzimi. Ne kemi vërtetuar se rrugën deri në Kullë e kemi ndërtuar me porosi tonë, me ndërmarrje që ne i kemi angazhuar, parat që ne i kemi paguar. Sinjalizimi që ne e kemi bërë. Mirëmbajtjen që ne e kemi bërë dhe atë s’mund ta ndërroj askush”, tha ai.

Ai lexoi një faksimil të datës 31 tetor 1946, ku thuhet se në pjesën ku përmenden territoret kontestuese në mes republikave, e vetmja pikë kontestuese është pylli Vaganica, i cili duhet t’i takojë fshatit Haxhaj, sepse është marrë padrejtësisht në kohën e Jugosllavisë së vjetër në vitin 1931.

Temat: