75 Mall Live Search
23:46 / E Hënë, 30 Qershor 2025 / Burim

VV konfirmon pjesëmarrjen në takimin e Presidentes, kërkon reflektim nga të tjerët

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1, ka deklaruar se partia e tij do të marrë pjesë në takimin e radhës të thirrur nga Presidentja e Kosovës, duke e konsideruar atë të rëndësishëm për konstituimin e institucioneve.

“Po, padyshim që çdo takim që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit dhe të gjitha organeve tjera, si komisionet dhe procedurat e Kuvendit, i mirëpresim. Por për ne është e papranueshme sjellja bllokuese e partive opozitare, të cilën e kanë mbajtur që nga dita e parë e deri më sot,” deklaroi Zyba.

Ai shtoi se pret reflektim, jo vetëm diskutim, nga presidentja dhe nga subjektet e tjera politike. Sipas tij, qëndrimi zyrtar i VV-së do të përcillet nga kryesia përmes kryetarit apo përfaqësuesit që do të marrë pjesë në takim.

Zyba gjithashtu ka hedhur poshtë pretendimet se presidentja e vendit duhet të jetë më e angazhuar në zgjidhjen e ngërçit politik, duke theksuar se “nuk ka qenë përgjegjësi e saj”.

“Po, sigurisht janë të njëjtat subjekte që nga dita e parë kanë bojkotuar dhe kanë pasur për qëllim ta thellojnë këtë ngërç. Shpresat nuk kanë qenë të mëdha, por mundësia është ofruar për ta, sepse ka ekzistuar hapësira për komunikim dhe bashkëpunim,” u shpreh ai.