75 Mall Live Search
14:34 / E Enjte, 16 Janar 2020 / indeksADMonline

VV-LDK, larg marrëveshjes

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë ende larg arritjes së marrëveshjes bashkëqeverisëse.

Ndryshe nga herët e kaluara ku liderët e dy subjekteve, Isa Mustafa e Albin Kurti, takoheshin me orë të tëra për të gjetur zgjidhje, tani komunikimi i tyre po bëhet vetëm me postë.

Të dyja partitë po i dërgojnë oferta njëra- tjetrës, mirëpo ato si duket nuk po shqyrtohen në organet e partive.

Shkaku pse ende nuk ka marrëveshje, po del të jetë pozita e kryetarit të Kuvendit, që tani është e plotësuar nga Glauk Konjufca i VV-së.

Kjo e fundit ka thënë se nuk ka më kthim prapa, ndërsa LDK-ja në ofertën e djeshme dërguar VV-së ka kërkuar kryetarin e Kuvendit dhe ndarjen e ministrive 5-5.

Kryetari i VV-së, Albin Kurti të dielën në mbledhjen e parë me qendrat e Lëvizjes Vetëvendosje, për vitin 2020, ndër të tjera ka thënë se ajo që VV-ja nuk do të bëjë është të kthehet në kohë dhe të pretendojë sikur asgjë nuk ka ndodhur.

“Gjërat kanë ndodhur, takimet dhe përpjekjet tona kanë ndodhur, ofertat tona kanë ndodhur, afatet kushtetuese kanë ndodhur, seanca konstituive e Kuvendit ka ndodhur. Pra, nuk mund të shtiremi se këto ngjarje e këto afate nuk kanë ndodhur e nuk i ka parë i gjithë populli”, ka thënë Kurti.

Këtë e konfirmuan mbrëmë edhe zyrtarët e VV-së nëpër televizione të ndryshme.

Ndërsa në ofertën e LDK-së të bërë dje, në pikën e parë thuhet se LDK-ja do të ketë Kryetarin e Kuvendit deri në zgjedhjen e Presidentit, pastaj Kryetari i Kuvendit do t’i kalojë VV-së. Kjo nënkupton se në vitin e parë të bashkëqeverisjes, secili partner mban një pozitë të lartë shtetërore (VV-ja e ka kryeministrin, LDK-ja kryetarin e Kuvendit).

Nëse Glauk Konjufca nuk ofron dorëheqjen dhe insiston të mbetët në vendin ku ndodhet aktualisht, partive u duhen dy të tretat e numrit të përgjithshëm të deputetëve për ta shkarkuar atë./IndeksOnline/