15:44 / E Shtunë, 09 Nëntor 2019 / indeksADMonline

VV marshim protestë më 28 nëntor: Bashkim kauzash me hapa drejt integrimit kombëtar

Ky 28 nëntor i pavarësisë nuk është vetëm festë për Qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Shqipëri. Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në një marshim në Tiranë, në ora 12:00, nga Monumenti i “Gjergj Kastriot Skënderbeut” te monumenti i “Adem Jasharit”.

“Heronjtë kombëtarë nderohen jo thjesht me lule dhe ceremoni, por kur ne njëmend ecim në rrugën që ata kanë shtruar. Ne do të ecim në rrugët e kryeqytetit për të bashkuar kauzat dhe vullnetet, njerëzit dhe zemrat, kundër padrejtësive dhe pabarazive ekstreme, për të kërkuar hapa konkretë për integrimin kombëtar për zhvillim e drejtësi, drejt bashkimit për progres dhe siguri, për emancipim”.

“Shqiptarët nuk e kanë luksin ta shohin 28 Nëntorin thjesht si festë. 28 Nëntori është projekt i pazbatuar” thotë VV.

Për Vetëvendosjen, Pavarësia pa sovranitetin e brendshëm fillon t’i përngjajë një guaske të boshatisur.

“Tre dekadat e pluralizmit në Shqipëri janë karakterizuar shpesh nga papjekuria dhe makutëria politike sa i përket çështjes kombëtare, demokracisë dhe rolit të shtetit në raport me shoqërinë e me zhvillimin ekonomik. Pushteti politik shpesh e ka dorëzuar dhe privatizuar publiken, duke rrudhur sovranitetin, e nganjëherë është bërë njësh me klane e oligarkë që kanë monopolizuar e kartelizuar ekonominë kombëtare”.

“Qytetarët e Shqipërisë janë të pakënaqur nga kjo situatë, dhe e kanë shprehur indinjatën e tyre me protesta, por edhe me largime masive nga vendi. Mërgimi masiv është përgjigje e dëshpëruar ndaj mënyrës së qeverisjes, politikave neoliberale ekonomike, dhe dështimit të drejtësisë e sigurisë” vijon më tej Vetëvendosja.