75 Mall Live Search
22:09 / E Diele, 09 Mars 2025 / FR

VV thotë se ankesën për votat me postë e bënë brenda afatit: PZAP-ja po i ikën rivotimit

Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për refuzimin e ankesës nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për përsëritje të votimit me postë, duke thënë se ankesa është bërë brenda afatit kohor.

Sipas njoftimit zyrtarë në facebook nga LVV-ja është shprehur se PZAP-ja po i ndërron afatet për ankesë me qëllim që t’i ikën vendimit për rivotim me postë, derisa shtoi se ky institucion ka rënë ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe me rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Njoftimi i sotëm nga ana e PZAP-së se ankesa jonë për anulimin e fletëvotimeve të dërguara me postë dhe rivotimin përmes postës është e paafatshme, është pozicion arbitrar dhe i pashpjegueshëm i PZAP.

“Vendimi në fjalë nuk respekton njoftimin zyrtar të KQZ për momentin e përfundimit të të gjitha numërimeve në QNR  dhe kështu bie ndesh me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, rregullat e KQZ-së, si dhe me praktikat e deritanishme të parashtrimit e shqyrtimit të ankesave për cënim të procesit zgjedhor”.

“Justifikimi i PZAP-së se kinse ankesa është e pasafatshme, është qartazi tendencë për t’i ikur përgjegjësisë institucionale e ligjore për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor. Shkeljet e shumta e manipulimi flagrant i procesit të votimit përmes postës nga ana e LDK-së nuk mund të anashkalohet”, ka shkruar partia që udhëhiqet nga kryeministri Albin Kurti.

Tutje në njoftim, VV-ja ka thënë se afati i fundit ka qenë data 7 mars, ora 21:00, e shtoi se ankesë ne kanë dorëzuar me prova në orën 20:20.