Wanda i përgjigjet Spalletit për deklaratën për Icardin
Mauro Icardi është gati të luajë për Interin përsëri, sipas gruas dhe agjentes së sulmuesit argjentinas, Wanda Nara. Ish-kapiteni zikaltër u la përsëri jashtë skuadrës nga trajneri Luciano Spalletti, në humbjen e së dielës ndaj Lazio, në “San Siro”.
Trajneri ia hoqi shiritin atij gjashtë javë më parë dhe ndërkombëtari argjentinas nuk ka luajtur më asnjë ndeshje, që nga ajo kohë.
Icardi dhe Nara ishin të pranishëm në stadium, për të parë humbjen në shtëpi të Interit. Agjentja e 26-vjeçarit iu përgjigj kritikave të fundit të Spalletti.
“Mauro është gati të luajë përsëri me Interin, për më tepër janë vendime të trajnerit, – tha ajo në “Tiki Taka”. – Nëse Mauro kthehet mbas në kohë, a do të bënte të njëjtat zgjedhje? Varet nga zgjedhjet… Nuk e di. Varet nga ajo se si e shihni situatën”.
“Mauro nuk ka folur akoma, ai vetëm pret që të luajë dhe po përgatitet për këtë. Fjalët e Spalletti nuk janë një hap prapa. Icardi është mësuar të dëgjojë shumë gjëra rreth tij, por pastaj përqendrohet në atë që duhet bërë, për ta ndihmuar Interin në fushë”.
Wanda Nara shtoi se heshtja e Icardit për mediat nuk duhet të merret si ndonjë tregues për marrëdhëniet e tij me klubin: “Mauro ishte i gatshëm për të qenë me ekipin, kujdeset shumë për shokët, por nuk ka nevojë ta thotë këtë me zë të lartë, ose në rrjetet sociale”.