23:27 / E Shtunë, 13 Janar 2018 / indeksADMonline

Wayne Rooney ndihmon hetuesit britanik në zbulimin e mashtrimit të madh

Sulmuesi i Everton-it, Wayne Rooney, përveç kontributit në fushë i ka dhënë një ndihmë të madhe hetuesve britanikë për të kapur një falsifikator të sendeve sportive me vlerë.

Anglezi ndihmoi në zbulimin e një personi që akuzohet se fitonte nga shitja e topave, këpucëve sportive dhe fanellave të lojtarëve të njohur me autografe falsë nëpërmjet biznesit të tij të shitjeve online “FA Premier Signings”.

Mendohet se David Rennie shiti rreth 4500 sende false, ku fitoi 1 milionë sterlina.

Falsifikatori 46-vjeҫar i blinte kopjet e rreme nga dyqanet sportive “Sports Direct” dhe aty imitonte autografet e lojtarëve si Messi, Cristiano Ronaldo,  Rooney etj.

Fillimisht ai siguronte firmat nga futbollistët kur u merrte autografe në hyrje të stadiumit ose në sallat e pritjes së tifozëve.

Ish-sulmuesi i Manchester United u thirr nga autoriteti i hetimit të krimit financiar “Dorser Trading Standards” për të verifikuar një fanellë të firmosur nga ai vetë, e cila ishte blerë për 150 £ nga linja e shitjeve online të krijuar nga Rennie.

Futbollisti ka konfirmuar se aty nuk ndodhej autografi i tij.

Zyrtari i “Trading Standards” Neil Martin falënderoi për bashkëpunimin sulmuesin e Everton-it dhe deklaroi se hetimi vazhdon më tej.

“Për të mbledhur provat për këtë çështje ne na është dashur të kontaktojmë një numër blerësish të ‘FA Premier Signings’ për t’u treguar se objektet që ata kanë blerë janë të falsifikuara dhe të pavlera”, deklaron për” Daily Mirror” Martin.

I akuzuari David Rennie kishte përfshirë dhe bashkëshorten e tij në skemën e mashtrimit.