William dhe Kate thyejnë rregullat anti-Covid, në një kohë kur Britania ka marrë masa strikte

Duka dhe Dukesha e Kembrixhit janë akuzuar se padashur kanë thyer rregullat anti-Covid pas takimit me Princin Edward dhe familjen e tij në Sandringham.
William dhe Kate, së bashku me fëmijët e tyre Princin George, Princeshën Charlotte dhe Princin Louis, thuhet se janë bërë bashkë me xhaxhain e princit, gruan e tij Sophie dhe fëmijët e tyre Lady Louise Windsor dhe James Viscount Severn. Familjet kanë dalë për një shëtitje në një pyll Krishtlindjesh, në rezidencën e Mbretëreshës në Norfolk, të dielën në mbrëmje.

Të dyja familjet mbërritën veçmas, pa pasur për qëllim të grumbulloheshin, por u takuan dhe biseduan, duke u bërë një grup prej 9 vetash, megjithëse u munduan të mbanin distancë.

Rezidenca Norfolk përfshihet në zonën e rregullave të nivelit të dytë, që do të thotë se vetëm gjashtë persona – përfshirë fëmijët – mund të takohen në ambiente të jashtme nëse nuk janë nga e njëjta familje.

Një person që ndodhej në pyll arriti të siguronte fotot e tyre me telefon dhe tha për Daily Mail se i kishte parë familjet bashkë disa herë. Një nga ato fotografi tregon qartë teksa ata shëtisin, të ndjekur nga truprojat, duke ecur në grup së bashku.
Një vizitor që pa grupin tha: “Për mendimin tim, ata po shkelnin qartë rregullat e Covidit, sepse ishin nëntë persona nga dy familje të veçanta. Pa dyshim që të gjithë po kalonin një mbrëmje argëtuese. Mund të thuash që të rinjtë mbretërorë po kalonin shumë mirë. Por nuk mund të mos mendoja se ishte një rregull për ta dhe një tjetër për ne të tjerët. Ishte me të vërtetë mjaft e qartë.”
Mbrëmjen e kaluar, burimet mbretërore thanë se çdo kontakt ishte i paqëllimtë.