75 Mall Live Search
13:11 / E Hënë, 09 Maj 2022 / AR

William & Kate po planifikojnë këto ndryshime të mëdha në monarki

Kur Princi William të bëhet mbret i Mbretërisë së Bashkuar dhe të marrë drejtimin e monarkisë së bashku me Kate Middleton, dukesha e Cambridge-it, shumë gjëra do të ndryshojnë. Burime pranë çiftit thonë se ata po presin me padurim të sjellin një frymë moderne në mbretëri dhe t’i bëjnë gjërat “sipas mënyrës së Cambridge-it”.

“Ata duan të përpiqen të shmangin përuljet dhe gjestet përshëndetëse në publik, të jenë më të afrueshëm, më pak zyrtarë, të shkëputen nga shumë tradita dhe të përqendrohen në një monarki moderne”, tha një burim mbretëror së fundmi për Sunday Mirror.

Planet për të modernizuar monarkinë janë lënë të kuptohen për një kohë të gjatë, por me sa duket turneu i fundit në Karaibe e ka theksuar edhe më tepër.

“Sigurisht që ishte më sfiduese se sa pritej duke pasur parasysh protestat,” tha një burim për Us Weekly asokohe. “Ata padyshim e dinë historinë, por të qenit atje gjatë protestave ishte një hap i vërtetë.”

Në Xhamajkë ka pasur protesta të vazhdueshme që kërkojnë që mbretëresha Elizabeth II të hiqet nga posti i kreut të shtetit. Xhamajka mbetet ende pjesë e Commonwealth-it (organizatë politike e përbërë pothuajse nga të gjitha territoret e mëparshme të Perandorisë Britanike). Protestat në Xhamajkë janë pjesë e atyre që po konsiderohen si ndryshime historike. Një vend tjetër i Karaibeve, Barbados, prishi lidhjet me mbretëreshën në nëntor kur u shpall republikë.

Pra, William dhe Kate do të mbështesin vendet që kanë qenë koloni britanike që të shkëputen nga Commonwealth nëse vendosin.

“William dhe Kate do të modernizojnë mënyrën se si punojnë,” shpjegoi një burim mbretëror për The Sun. “Nuk është një kritikë se si është bërë në të kaluarën. Por kohët po ndryshojnë.”