Williams pohon se Jakup Krasniqi pati rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave rome dhe serbe në Kosovë

Paul Williams i cili mbështeti juridikisht pa pagesë delegacionin kosovar në Rambuje, pohoi se gjatë procesit të Vjenës dhe hartimit të Kushtetutës, Jakup Krasniqi ka pasur rol pozitiv lidhur me rolin e pakicave në Kosovë duke përfshirë atë serbe dhe rome.
Këtë deklarim, dëshmitari e bëri duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Jakup Krasniqit, Aiden Ellis pas mbarimit të pyetjeve nga mbrojtja e Thaçit përmes avokatit Luka Mishetiq, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjatë kohës së konferencës së Rambujesë, dëshmitari pohoi se delegacioni kosovar u nda në grupe të ndryshme pune. Tha se punë e tij ishte të ndërlidhte punën e këtyre grupeve.
Blerim Shala, Jakup Krasniqi dhe Fehmi Agani, sipas dëshmitarit, kanë qenë me një grup punues. Për të fundit, thotë se ishte pjesë e delegacionit nga Lidhja Demokratike e Kosovës.
Williams pohoi se e ka ndihmuar delegacionin e Kosovës edhe për Konferencën në Vjenë, e po ashtu edhe për hartimin e Kushtetutës. Gjatë këtyre proceseve, dëshmitari pohoi se e ka takuar Jakup Krasniqin.
Dëshmitari u përgjigj “Me sa më kujtohet, po”, kur u pyet nëse këto gjëra kishin ndodhur gjatë viteve 2006-2007.
Edhe në këto procese, sipas Williams, Krasniqi ka luajtur një rol bashkëpunues sikurse edhe në Rambuje. Pohoi se e ka takuar atë në Rambuje dhe ka qenë atje gjatë kohës së negociatave.
Me kaq përfunduan pyetjet e Aiden Ellis për dëshmitarin, për të vazhduar më pas me Prokurorinë të përfaqësuar nga prokurori James Pace.
Pace planifikohet që ta marrë në pyetje këtë dëshmitar rreth dy orë e gjysmë.
Për dëshmitarin nuk patën pyetje mbrojtja e Rexhep Selimit dhe ajo e Kadri Veselit.