75 Mall Live Search
17:21 / E Diele, 17 Gusht 2025 / F.R

Witkoff: Putin ra dakord për garanci të forta sigurie për Ukrainën

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara, Steve Witkoff ka thënë se lideri rus Vladimir Putin është pajtuar në samitin e zhvilluar me presidentin amerikan, Donald Trump që ta lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci të sigurisë për Ukrainën, që i ngjajnë mandatit të mbrojtjes kolektive të NATO-s, në kuadër të një marrëveshjeje eventuale për përfundim të luftës.

“Kemi arritur të fitojmë këtë koncesion, që SHBA-ja të ofrojë mbrojtje të modelit të Artikullit 5, i cili është ndër arsyet kryesore pse Ukraina dëshiron të jetë pjesë e NATO-s”, ka thënë ai për rrjetin televiziv amerikan CNN.

Neni 5 i NATO-s është themeli i aleancës që parasheh se një sulm i armatosur kundër një ose më shumë anëtarëve të saj do të konsiderohet sulm kundër të gjithë anëtarëve.

Witkoff ka thënë se kjo është hera e parë që ka dëgjuar se Putini është pajtuar me diçka të tillë.

Shefja e Bashkimit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë në një konferencë të përbashkët për media me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, se mirëpret “gatishmërinë e Trumpit të kontribuojë në garanci të sigurisë për Ukrainën, të llojit të Artikullit 5”. Ajo ka thënë se BE-ja është e gatshme ta kryejë pjesën e vet në këtë drejtim.