75 Mall Live Search
13:51 / E Martë, 08 Shtator 2020 / indeksADMonline

Wolfsburgu i bën ofertë 400 mijë euroshe Kukësit, që ta luajnë ndeshjen në Gjermani

Duket e pabesueshme, por është e vërtetë. Wolfsburgu i ka bërë ofertë Kukësit për ndeshjen e 17 shtatorit. Gjermanët nuk kanë dashur që të merrnin rrugën drejt Shqipërisë dhe për këtë motiv u kanë kërkuar “rokadën” verilindorëve, pra që ndeshja të luhet në “Wolsfsburg Arena” dhe jo në “Air Albania”. Nëse nënkampionët do të binin dakord, nuk do të dilnin “thatë”.

“Panorama Sport” mëson ekskluzivisht se ka qenë vetë drejtori Nderim Nexhipi, që ka marrë pjesë në këto negociata. Ai është një njohje e vjetër e gjermanëve, pasi edhe ka luajtur për Wolfsburgun. Kjo ka qenë ide e gjitha e kundërshtarëve, prej situatës së krijuar nga COVIDI-19.

Nga kjo marrëveshje, Kukësi do të përfitonte 400 mijë euro, shto këtu edhe shpenzimet e udhëtimit apo fjetjen që do të ishin që të gjitha të hequra. Do t’ishte pala gjermane që do t’i hiqte ato, prej parave që do të vinin kryesisht prej sponsorëve apo të drejtave televizive.

Të pyetur nga gazeta janë vetë drejtuesit e klubit të cilët e pranojnë këtë fakt. Edhe pse vetë presidenti Safet Gjici nuk e ka pasur me shumë qejf këtë zhvendosje të ndeshjes në Gjermani, është vetë UEFA-ja që nuk e ka miratuar këtë plan. Qeveria evropiane e futbollit nuk e lejon një gjë të tillë, derisa më herët është përcaktuar që kjo përballje të luhet pikërisht në Shqipëri.