75 Mall Live Search
23:21 / E Premte, 09 Shkurt 2024 / Gj. Sh

Xabi Alonso: Është kënaqësi të punosh me lojtarë si Xhaka

Trajneri i Bayer Leverkusenit, Xavi Alonso ka folur para ndeshjes me Bayern Munich, e cila është vendimtare për titullin e kampionit.

Pas 20 xhirove të zhvilluara në Bundesligën e Gjermanisë, Leverkusen është lidere e tabelës me 52 pikë, dy më shumë se Bayern Munchen, shkruan IndeksOnline.

Derbi i javës së 21-të zhvillohet ditën e shtunë më fillim nga ora 18:30.

Alonso në konferencë për media para derbit ka thënë se kjo ndeshje nuk e vendos titullin e kampionit.

Ai po ashtu ka thurur lavde për mesfushorin kosovar, Granit Xhaka, duke thënë se është kënaqësi të punosh me futbollistë të tillë.

“Të shtunën ne kemi mundësinë të përjetojmë një atmosferë unike në stadium. Është një moment i veçantë për të gjithë ne dhe po e shijojmë këtë moment. Ndaj Bayern-it nuk duhet të mendojmë për klasifikimin, sepse do ndikonte për keq. Na duhet një ndeshje perfekte sepse kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, të gjithë e dimë këtë. Titulli? Unë dua që skuadra të luajë lojën e saj, besojmë te një rezultat pozitiv, por personalisht nuk mendoj se kjo sfidë vendos titullin sepse ka ende ndeshje përpara. Patjetër që është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo totalisht vendimtare.

“Graniti është jashtëzakonisht i fortë si fizikisht dhe mendërisht, shumë konkurrues, i jep një kuptim të jashtëzakonshëm lojës dhe ka një ndikim të madh te e gjithë skuadra. Ai komunikon shumë dhe shokët e tij i besojnë atij. Ne po përfitojmë shumë prej tij. Është thjesht një kënaqësi të punosh me lojtarë si Graniti. Tifozët? Ne kemi një lidhje të veçantë me tifozët dhe unë besoj se ata do të jenë motivimi ynë më i madh. Shpresoj të jenë të gjithë aty dhe ne t’i bëjmë të lumtur.”, deklaroi Xavi Alonso./IndeksOnline/