75 Mall Live Search
23:28 / E Diele, 22 Qershor 2025 / FR

Xabi Alonso ka një kërkesë të re për Real Madridin, e do yllin e La Ligas

Ndërsa Real Madridi po konkurron në Kampionatin Botëror për Klube me synimin për të shtuar trofe të tjerë në koleksionin e vet, Xabi Alonso tashmë është përqendruar në lëvizjen e radhës të madhe në merkato: Cristhian Mosquera. Qendërmbrojtësi i ri i Valencias është identifikuar drejtpërdrejt nga trajneri bask si një përforcim prioritar për mbrojtjen, e cila ka shkaktuar jo pak shqetësime, sipas Eduardo Inda në OK Diario dhe të konfirmuar nga Defensa Central.

Drejtuesit sportivë të “Los Blancos” po e konsiderojnë seriozisht mundësinë për të transferuar mbrojtësin 19-vjeçar, i cili aktualisht përfaqëson Spanjën në Kampionatin Evropian U-21. Me një kontratë që skadon në vitin 2026 dhe pa ndonjë përparim domethënës në rinovimin e tij me Valencian, Mosquera mund të shndërrohet në një mundësi të mirë për Realin, sidomos nëse Valencia detyrohet të negociojë largimin e tij gjatë kësaj vere.

Xabi Alonso nuk e fsheh shqetësimin për gjendjen fizike të lojtarëve kyç si Rüdiger dhe Militão, të cilët prej muajsh po përballen me probleme. Edhe pse së fundmi u shtua në skuadër Dean Huijsen, trajneri dëshiron të ketë më shumë alternativa për një skemë ku ai e konsideron edhe lojën me tre qendërmbrojtës, siç e ka zbatuar me sukses te Bayer Leverkusen.

Ardhja e mundshme e Mosqueras do të përshtatej në këtë plan. Mbrojtësi, i vlerësuar me rreth 30 milionë euro, shihet si një profil për të ardhmen, por edhe i gatshëm për të konkurruar menjëherë. Megjithatë, Reali është i vetëdijshëm për vështirësinë e negociatave me Valencian, dhe gjithçka do të varet nëse klubi nga Mestalla vendos ta nxjerrë në shitje apo të vazhdojë luftën për ta rinovuar.

Me Xabin që po shtyn për transferimin e tij, Real Madridi po përgatitet për të vepruar së shpejti. Merkatoja nuk ka përfunduar për “Los Blancos”, dhe Mosquera është në krye të listës së tyre.