23:57 / E Premte, 07 Korrik 2023 / Gj. Sh

Xavi: Nuk më intereson nëse Reali e transferon Mbappen

Kylian Mbappe dhe Real Madrid mund të bashkohen këtë verë me Paris Saint-Germain që heq dorë nga sulmuesi nëse mbërrin një ofertë prej 200 milionë eurosh. Deri më tani, “Los Blancos” nuk kanë dhënë asnjë sinjal se janë në negociata, megjithatë dihet dëshira e madrilenëve për të firmosur me francezin.

Së fundmi, rreth mundësisë që Reali të transferojë atë që konsiderohet si lojtari më i mirë në botë për momentin, foli edhe trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez. Tekniku i blaugranave e pranoi se rivalët do të përforcoheshin së tepërmi nëse transferojnë Mbappe, por shtoi se gjithsesi ai ka për detyrë të mendojë vetëm për skuadrën e tij.

“Kemi një respekt maksimal për Real Madrid dhe sigurisht që me Mbappe do të përforcoheshin shumë. Por, kjo nuk më shqetëson dhe të them të drejtën as që më intereson”, u shpreh Xavi.