Xavi tregon nëse Dembele do të paraqitet më Barcelonën

Trajneri Xavi Hernandez në një konferencë për media sot para ndeshjes kundër Atletico Madridit, ka bërë të ditur nëse Ousmane Dembele do të vazhdojë me paraqitje në fanellën e Barcelonës.
Gjatë merkatos së janarit, Barcelona dështoi që të arrijë marrëveshje me Dembelen për rinovim kontrate, gjë që bëri që gjigandi katalunas t’i vë ultimatum yllit francez.
Barça i kishte komunikuar Dembeles që ose të nënshkruajë kontratën e re ose të largohet nga skuadra sepse nuk do të paraqitej më me ekipin.
Por, si duket fjalët e krerëve të gjigandit katalunas kanë qenë vetëm fjalë, pasi që Dembele është grumbulluar për ndeshjen e nesërme kundër kampionit spanjoll.
Këtë gjë e konfirmoi sot në konferencën për media trajneri Xavi, i cili tha që Dembele është pjesë e skuadrës.
“Çdo gjë e mundur që duhet të bëhej për të gjetur një rrugë për ta larguar Dembelen u bë. E kuptoj pozitën e të gjithëve, por na duhet që të bëjmë më të mirën për klubin. Ne mendojmë që ai do të na ndihmojë neve, kështu që Dembele do të jetë pjesë e skuadrës nesër”, tha Xavi.
Nesër me fillim nga ora 16:15, gjigandi katalunas Barcelona do të zhvillojë ndeshje si vendase në “Camp Nou”, ku aty e pret kampionin spanjoll Atletico Madrid.