19:58 / E Mërkurë, 29 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Xhaferi dorëzoi kërkesat për aprovimin e paraburgimit të 6 deputetëve

Kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi, dorëzoi deri te Komisioni për mandate dhe imunitete kërkesën e Gjykatës Penale, për aprovimin e paraburgimit të 6 deputetëve.

“Në përputhje me nenin 53, paragrafi 5 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi i dorëzoi te Komisioni për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit kërkesat për aprovimin e paraburgimit të deputetëve Krsto Mukoski, Ljuben Arnaudov, Johan Tarçullovski, Sasho Vasilevski, Ljupço Dimovski dhe Zhaklina Peshevska, të parashtruara nga Gjykata Themelore Shkup I Shkup, Seksioni për krim të organizuar dhe korrupsion IV KOK.PP. nr.384/17 prej më 28.11.2017”, bënë të ditur nga Kuvendi.

Seanca e Komisionit për çështje të Rregullores, Mandatit dhe Imunitetit është caktuar për nesër me fillim në orën 12.00.

Gjykata u ka caktuar paraburgim 30 ditor 13 të akuzuarve për veprën “cenim terrorist i rendit kushtetues” lidhur me natën e përgjakshme të 27 prillit në Kuvend. Për gjashtë persona tjerë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak.