75 Mall Live Search
14:23 / E Enjte, 16 Janar 2025 / S Z

Xhaferi: Në qeverinë tonë, brenda javës do të nënshkruhet garancia për kredinë e unazës së kryeqytetit

Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Krenar Xhaferi ka thënë se në qeverisjen e LDK-së brenda javës do të nënshkruhet garancia për kredinë e unazës së kryeqytetit dhe 100 milionë euro do të mbulojnë koston e shpronësimeve për tokat që përfshihen në këtë projekt.

Xhaferi ka thënë se qeveria aktuale, për dy vjet, nuk ka arritur të nënshkruajë garancinë për kredinë e unazës së kryeqytetit, ku 60 milionë euro janë donacion. Kjo kredi është e planifikuar të paguhet nga Komuna e Prishtinës.

Sipas tij në mungesë të unazës së kryeqytetit, krijohen kolona të panevojshme, pasi që 140 mijë vetura hyjnë në Prishtinë brenda ditës.

Postimi i plotë i Xhaferit:

Një matematikë e thjeshtë na tregon se kostoja e ndërtimit të unazës së kryeqytetit, me vlerë 350 milionë euro, ku përfshihet edhe shpronësimi, është e barabartë me një kalkulim si ky më poshtë:

140 mijë vetura hyjnë në Prishtinë brenda ditës. Në mungesë të unazës së kryeqytetit, krijohen kolona të panevojshme, ku vetëm, nëse secila veturë shpenzon 2 litra naftë për shkak të trafikut të ngarkuar, pa llogaritur veturat që qarkullojnë brenda Prishtinës, e që janë në numër të ngjashëm, dalim në këtë kalkulim:

140,000 vetura x 2 litra = 280,000 litra

280,000 litra, nëse shumëzohet me çmimin e derivateve prej 1.27 euro/litër, rezulton në: 355,600 euro.

355 mijë euro, nëse shumëzohet me 20 ditë të ngarkuara gjatë muajit, arrin në: 7,112,000 euro. Nëse këtë shifër e shumëzojmë për 12 muaj, arrijmë në: 85,344,000 euro.

Për një mandat qeverisës 4-vjeçar, kjo shumë arrin në: 341 milionë euro, po aq sa kostoja e ndërtimit të unazës së kryeqytetit.

Qeveria aktuale, për dy vjet, nuk ka arritur të nënshkruajë garancinë për kredinë e unazës së kryeqytetit, ku 60 milionë euro janë donacion. Kjo kredi është e planifikuar të paguhet nga Komuna e Prishtinës.

Në qeverinë tonë, brenda javës do të nënshkruhet garancia për kredinë e unazës së kryeqytetit, dhe 100 milionë euro do të mbulojnë koston e shpronësimeve për tokat që përfshihen në këtë projekt.