Xhaferi për vizitë zyrtare në Austri, takon Sobotkan
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, është duke qëndruar për vizitë zyrtare në Vjenë ku është takuar me kryetarin e Këshillit Nacional të Austrisë, Volfgang Sobotka.
Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se marrëdhëniet dhe kontaktet ndërmjet Kuvendit të Maqedonisë së Veriut dhe Parlamentit austriak janë miqësore dhe zhvillohen në vijë të përpjetë, edhe në planin bilateral edhe atë multilateral.
Sobotka e përshëndeti nënshkrimin dhe zbatimin e Marrëveshjes së Prespës dhe theksoi se, kjo paraqet shembull për të gjitha shtetet në Evropë se si nëpërmjet dialogut zgjidhen mosmarrëveshjet.
Ai shprehu optimizëm se përpjekjet e vazhdueshme për zbatimin e reformave të institucioneve në Maqedoninë e Veriut në fushat kryesore do të njihen dhe se vendet anëtare të BE-së do të marrin vendim për hapjen e negociatave për aderim në qershor të këtij viti.
Në anën tjetër, Xhaferi e nënvizoi përcaktimin e përbashkët të partive qeveritare dhe opozitare për mbështetjen e qëllimit strategjik për aderim në BE dhe për anëtarësim në NATO.
“Hapja e negociatave në qershor të vitit 2019 do të sigurojë inkurajim të mëtutjeshëm për konsolidimin e demokracisë dhe sundimin e të drejtës dhe njëkohësisht, do të dërgojë mesazh të qartë dhe pozitiv ndaj të gjitha vendet aderuese në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi Xhaferi.
Në fund, bashkëbiseduesit theksuan se edhe në të ardhme do të angazhohen për kultivimin e marrëdhënieve të afërta dhe miqësore ndërmjet dy dhomave ligjvënëse, si në nivel të deputetëve, ashtu edhe në nivel të shërbimeve dhe në këtë drejtim nga ana jonë u përshëndet nisma austriake në bashkëpunim me Fondin Evropian për Ballkanin, për ndarjen e bursave austriake në Parlamentin austriak, të dedikuara për nëpunësit nga parlamentet e 6 shteteve nga Ballkani Perëndimor.