Xhaferi përshëndetet me Drejtorinë e Investimeve Kapitale, tani e tutje do ta shohim në Kuvend

Krenar Xhaferi ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të Investimeve Kapitale, në Komunën e Prishtinës.
Xhaferi ka siguruar një mandat si deputet i LDK-së, në zgjedhjet e 9 shkurtit, prandaj ka vendosur të përfaqësojë në Kuvend zërin e atyre që patën besim në të dhe i dhanë votën.
“Ky rrugëtim si Drejtor i Investimeve Kapitale ka qenë një përgjegjësi e madhe, por edhe një privilegj i jashtëzakonshëm. Për këtë, dua të falënderoj Kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun, dhe kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për besimin dhe bashkëpunimin e tyre”, shkroi Xhaferi në Facebook.
Ai ka renditur projektet e realizuara gjatë mandatit të tij, dhe ato që janë në realizim e sipër.
Ky është postimi i plotë i tij:
Të dashur qytetarë!
Dua t’ju njoftoj se, pas rezultateve të zgjedhjeve dhe besimit që ma keni deleguar për t’ju përfaqësuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, po tërhiqem nga pozita e Drejtorit të Investimeve Kapitale në Komunën e Prishtinës, për t’i hapur rrugë emërimit të drejtorit të ri, i cili do të vazhdojë punën në realizimin e projekteve të nisura!
Ky rrugëtim si Drejtor i Investimeve Kapitale ka qenë një përgjegjësi e madhe, por edhe një privilegj i jashtëzakonshëm. Për këtë, dua të falënderoj Kryetarin e LDK-së, Dr. Lumir Abdixhikun, dhe Kryetarin e Komunës së Prishtinës, z. Përparim Rama, për besimin dhe bashkëpunimin e tyre.
Të dashur qytetarë!
Gjatë këtyre viteve kam pasur mundësinë të punoj nga afër me ju, të dëgjoj nevojat, kërkesat dhe shqetësimet tuaja, si dhe të angazhohem për projekte që ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës në kryeqytetin tonë.
Me ekipin tim kemi arritur të zbatojmë një numër të madh projektesh infrastrukturore, të cilat kanë sjellë përmirësime thelbësore në rrugë, kanalizim, ndriçim dhe hapësira publike. Këto projekte nuk janë vetëm shifra, por investime që ndikojnë në cilësinë e jetës, sigurinë dhe mirëqenien e çdo qytetari.
Më poshtë po i rendis disa nga projektet e realizuara dhe ato në proces të realizimit:
• Rruga A
• Rruga B
• Unaza e Qytetit
• Rruga “Nekibe Kelmendi”
• Unaza e Brendshme
• Rruga “Kolovicë – Sofali”
• Rruga “1 Tetori”
• Rruga “Bajram Bahtiri”
• Varrezat e Dëshmorëve në Marec
• Rruga “Mallakastra”
• Projektet në Lagjen Ulpiana
• Projektet në Lagjen Dardania
• Rruga “Te Santea”
• Rruga “Rexhep Luci”
• Rruga “Te Kafet e Rakisë”
• Qendra e vjetër e Prishtinës
• Klubi i Artistëve
• Rruga “Xheladin Rekaliu”
• Rruga “Brigada e Lirisë” në Keqekollë
• Asfaltimi i rrugës në Nishefc
• Rruga e re në Grashticë
• Rruga “Holger Petersen”
• Rruga “Shkëndija” në Hajvali
• Asfaltimi i rrugës që lidh Kodrën e Trimave me Qendrën e Panaireve në Shkabaj
• Rruga “Aziz Abrashi”
• Rruga e re për Butoc
• Rruga Stallovë-Zllash
• Rruga e re në Ballaban
• Rruga “Gjergj Balsha”
• Rruga “Ahmet Krasniqi” në Lagjen “Arbëria”
• Rruga e re në Nishec
• Rruga “Malo Gami”
• Rruga “Gonxhe Bojaxhiu”
• Rruga që lidh fshatin Marec me Artanën dhe Dardanën
• Rruga “Kolë Jakova”
• Ndërtimi i kolektorit në Lagjen “Kalabria” (Vazhdon)
• Rruga “Ukshin Hoti”
• Rruga “Ahmet Gashi”
• Rruga “Burimi”
• Rruga “Skënderbeu”
• Rruga në drejtim të Fushë-Kosovës, nëpërmjet nënkalimit në rrethrrotullimin e Lakrishtës
• Rruga “Metush Krasniqi”
• Rruga “Qëndresa” në Mat
• Rruga “Qemajl Stafa”
• Rruga lidhëse nga Rruga “Robert Doll” në Rrugën “Tirana”
• Rruga “Hys Popova” në Kodrën e Trimave
• Hyrja e Prishtinës nga Gollaku
• Asfaltimi në Radashevc
• Rrugët “Mic Sokoli” dhe “27 Nëntori” në Kodrën e Trimave
• Rrugët “Agron Rama” dhe “Hazir Haxholli”
• Lagjja e Muhaxherëve
• Parkingu i madh në Lagjen “Kodra e Trimave”
• Rruga “Muhamet Qami”
• Asfaltimi i urës në fshatin Barilevë/Drenoc
• Parkingu te Shkolla “Ismail Qemali” në Bregun e Diellit
• Rruga “Pavarësia”
• … dhe shumë rrugë të tjera.
Të dashur qytetarë!
Puna në Komunën e Prishtinës dhe realizimi i shumë projekteve në kryeqytet më bën krenar për arritjet tona deri tani! Po të kishim një kulturë të bashkëpunimit ndërinstitucional, jam më se i bindur se rezultatet do të ishin shumë më të mëdha dhe domethënëse. Me detyrën e besuar të deputetit të Republikës, do të jem i përkushtuar maksimalisht për ngritjen e një kulture të bashkëpunimit ndërinstitucional, për të mirën e Prishtinës dhe gjithë Kosovës!
Prishtina mbetet në zemrën dhe interesin tim! Kudo që të jem, do të vazhdoj të punoj e të angazhohem gjithmonë për të. Sukseset e Prishtinës do t’i shtojmë edhe më shumë në të ardhmen.
Nisur nga fakti se shumë procese politike janë të paparashikueshme, nuk po ju përshëndes me Lamtumirë, por me Mirupafshim!
Na priftë e mbara!
Përherë me ju në zemër,
Krenar Xh. Xhaferi
P.S.
Sinqerisht ju kërkoj ndjesë që kësaj here nuk po ju përshëndes nga Terreni.