19:02 / E Hënë, 20 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Xhavit Haliti flet për zgjedhjet e PDK-së, ja çka thotë për rezultatin e balotazhit

Partia Demokratike e Kosovës, një ditë pas zgjedhjeve lokale të raundit të dytë, ka bërë shpalljen e zgjedhjeve të brendshme partiake.

Lidhur me këtë, nënkryetari i PDK-së, Xhavit Haliti ka folur për “Indeksonline” ku ka dhënë sqarime rreth këtyre zgjedhjeve. Sipas tij, PDK-ja do të bëjë analizën e strukturave të veta, por edhe do të analizojë rezultatin e zgjedhjeve lokale.

“Vendimi është marrë më herët që menjëherë pas zgjedhjeve do të ketë zgjedhje të partisë. Te ne procesi është legal, demokratik. Me siguri dikush mund të tërhiqet, dikush mund të mos i fitojë votat, këto janë probleme të brendshme tonat që i zgjedhim. Me siguri që do të bëhet analiza edhe e rezultatit të zgjedhjeve, dhe e organizimit të partisë. Dy vjet e kemi të obliguar të kemi zgjedhje, por ne i kemi mbajtë konventat përmes të cilave ia kemi zgjatë mandatin anëtarëve të Këshillit Drejtues dhe Kryesisë”, ka thënë ai.

Haliti ka komentuar zgjedhjet e djeshme të balotazhit ku PDK-ja arriti të marrë vetëm katër komuna, Ferizajn, Kaçanikun, Dragashin e Shtimen.
Për këtë rezultat, Haliti fajtor i ka lënë kandidatët të cilët sipas tij i kanë parë vetëm interesat e tyre.

“Komentet i kanë dhënë KQZ-ja, por sidoqoftë është një rezultat sa i përket kandidaturave për kryetar. Nga pothuajse shumica, apo të gjitha partitë, kanë parë vetëm interesat e veta dhe nuk e kanë respektuar marrëveshje mes koalicionit qendror për zgjedhje lokale.Ky është një rezultat që është votuar dhe është verdikti i popullit, i qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Haliti.

Ndryshe, PDK-ja dje ka humbur komunën e Prizrenit të cilën e mori Mytaher Haskuka nga Lëvizja Vetëvendosje. Ndonëse ishin të bindur për fitoren e Mitrovicës, PDK-ja nuk arriti ta marrë nën qeverisje as këtë komunë, e cila tashmë i takon edhe për një mandat Agim Bahtirit të AKR-së.

PDK në zgjedhjet e raundit të parë më 22 tetor kishte arritur fitore vetëm në komunën e Drenasit, ku edhe për një mandat do të jetë në krye Ramiz Lladrovci./Indeksonline/