75 Mall Live Search
13:09 / E Shtunë, 11 Korrik 2020 / indeksADMonline

“Xhaxhai” i mbrojtësve italianë i jep notat Kumbullës

Një nga mbrojtësit më të fortë dhe të respektuar të historisë së futbollit italian, të paktën në 30 vitet e fundit, ka qenë sigurisht Giuseppe Bergomi.

“Beppe”, ose “Zio” (xhaxhai) siç njihet nga opinioni publik italian, ka përfaqësuar gjatë gjithë karrierës 20-vjeçare vetëm fanellën e Interit, ekip me të cilin radhit 512 ndeshje. Por ish-kapiteni i Interit krenohet edhe me 81 ndeshje me fanellën e Kombëtares, me të cilën fitoi titullin e kampionit të Botës në 1982.

Sot Bergomi është një nga komentuesit më në zë të futbollit italian, dhe sigurisht gjatë ndeshjes që Verona barazoi me Interin “e tij”, nuk mungoi të analizojë vlerat e mbrojtësit shqiptar Marash Kumbulla, që spikati me një performancë të bukur në duelin me Romelo Lukaku.

“Ka qenë një duel shumë i bukur. Ndonjëherë Marashi ishte fitues, ndonjëherë në vështirësi, por kjo është normale duke parë moshën e tij të re. Nga pikëpamja fizike është shumë i fortë, me kokë po ashtu, ndërkohë që ende nuk e kam kuptuar sa i shpejtë është. Në një ekip të madh, atij do t’i duhet të mbrojë edhe në fushë të hapur, duke vrapuar para dhe mbrapa për shumë metra. Por duket se ai ka një personalitet të spikatur, dhe patjetër që mund të jetë pjesë e një ekipi të tillë”, deklaroi italiani për mbrojtësin shqiptar që ka mbushur në shkurt 20 vjeç, po aq sa karriera e “Zio Bergomi”.