75 Mall Live Search
10:45 / E Premte, 11 Korrik 2025 / k.v

Xhelal Sveçla: Gjenerata e 62-të e Policisë së Kosovës, forcë e re për sigurinë e vendit

Në një ceremoni solemne të mbajtur në sallën e sportit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është diplomuar gjenerata e 62-të e Policisë së Republikës së Kosovës.

Të rinj e të reja nga gjithë vendi i janë bashkuar shërbimit policor, të përgatitur dhe të përkushtuar për ta mbrojtur rendin dhe sigurinë në vend.

Në fjalën e tij para të diplomuarve, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, tha se kjo ngjarje shënon një moment të rëndësishëm për institucionin e policisë, e cila vazhdon të mbetet një nga institucionet me besimin më të lartë në vend.

“Jemi këtu sot për të shënuar një ngjarje të rëndësishme – Policia e Kosovës po forcon radhët e saj me të rinj e të reja që i janë bashkuar këtij shërbimi me vullnet, vizion dhe përkushtim”, u shpreh Sveçla.

Ministri theksoi se uniforma që mbajnë tashmë të diplomuarit bart me vete një përgjegjësi të lartë, atë të shërbimit me integritet dhe respekt ndaj çdo qytetari, duke e bërë Kosovën më të sigurt e më të drejt.

“Sa herë që të veproni të ndarë apo të vetëm, por në përputhje me ligjin – do ta keni shtetin pranë”, përfundoi Sveçla, duke iu drejtuar kadetëve të rinj.

Kjo gjeneratë e re pritet të nisë së shpejti shërbimin në terren, duke i dhënë freski dhe energji Policisë së Kosovës në misionin e saj për ruajtjen e rendit dhe ligjit në vend./IndeksOnline/