Ylli i Bayer Leverkusenit ka shprehur dëshirën që t’i bashkohet Milanit

E ardhmja e Patrik Schick te Bayer Leverkusen ka hyrë në një fazë pasigurie, pas deklaratave të fundit të agjentit të tij, Pavel Kuka, i cili konfirmoi se sulmuesi çek do të mirëpriste një transferim te Milani.
Në një prononcim për media, Kuka la të kuptohet se klienti i tij dëshiron të rikthehet në Serien A, ndërsa i bëri thirrje drejtpërdrejt klubit kuqezi që të ndërmarrë hapa konkretë për ta transferuar 28-vjeçarin.
“Atij i pëlqen ideja për të kaluar te Milani, pa marrë parasysh se kur. Dhe për rossonerët, të kenë një lojtar si Patrik Schick i tanishëm, do të ishte një goditje e madhe”, u shpreh Kuka.
Agjenti theksoi gjithashtu se vlera aktuale e Schick është e përballueshme për Milanin, duke shtuar se lojtari ka cilësi të pamohueshme dhe çmimi nuk duhet të jetë pengesë.
Megjithatë, Kuka pranoi se një largim këtë verë mbetet i vështirë për shkak të situatës së klubit gjerman.
“Patrik ka ende dy vjet kontratë me Leverkusenin. Do të shohim çfarë ndodh në të ardhmen. Por mendoj se këtë verë është e vështirë të largohet, sepse Leverkuseni tashmë ka shitur shumë lojtarë. Një tjetër largim, si ai i Schickut, do të ishte një humbje e rëndë për ekipin”.
Statistika dhe e kaluara në Serien A
Që nga kalimi i tij te Leverkuseni në vitin 2020, Schick ka treguar një formë të qëndrueshme para portës, duke shënuar 81 gola në 168 paraqitje. Ai nuk është i panjohur për futbollin italian, pasi më parë ka luajtur për Sampdoria dhe AS Roma, duke fituar përvojë të vlefshme në Serien A.
Tashmë mbetet të shihet nëse Milani do t’i përgjigjet kësaj thirrjeje të hapur nga kampi i lojtarit, në një merkato ku sulmuesi i ri është një nga prioritetet e klubit.