Ylli i Gjermanisë i “vetë-ofrohet” Bayernit
Timo Werner dëshiron të bëjë një lëvizje të madhe drejt Bayern Munich, sezonin e ardhshëm. Sulmuesi i RB Leipzig nuk ishte në gjendje të linte shenjën e tij në ndeshjen e së mërkurës, kur të dyja skuadrat u përballën mes tyre.
Franck Ribery shënoi golin e vetëm të ndeshjes, pasi Bayern Munich fitoi 1-0 në mesjavë, duke e ngushtuar distancën me liderin e Bundesligës, Borussia Dortmund, në vetëm 6 pikë.
Raportet mediatike kanë bërë me dije së fundi se Werner po shtyn për një transferim te Bayern Munich. Tabloidi i njohur gjerman, “Bild”, ka nënvizuar se gjigantët bavarezë e shohin 22-vjeçarin si një mundësi realiste për sezonin e ardhshëm.
“Unë kam kaluar dy vite e gjysmë mjaft të mira në Leipzig, kështu që nuk mund të parashikoj se çfarë do të ndodhë sezonin e ardhshëm, – tha ai për “Sky Sports Germany”. – Ka edhe klube të tjera në sfond, por, nëse luan në Gjermani dhe dëshiron të qëndrosh në Gjermani, ka vetëm një klub, që t’i përmbush të gjitha kushtet”.
Werner ka shënuar 10 gola dhe ka dhënë dy asiste në Bundesliga, këtë sezon, duke iu bashkuar golashënuesit kryesor të Bayernit, Robert Lewandowski. Trajneri i Bayernit, Niko Kovac, përshëndeti aftësitë e sulmuesit në fjalë, para ndeshjes së të mërkurës:
“Timo Werner është një lojtar i madh, me aftësi të mëdha. Se çfarë do të ndodhë në merkaton e dimrit, apo në verën e ardhshme, le t’ia lëmë kohës”.