75 Mall Live Search
20:42 / E Hënë, 15 Qershor 2020 / indeksADMonline

Ylli i Lyonit i gatshëm për ndeshjet e Ligës së Kampionëve

Ndonëse ngulmoi shumë për të anuluar vendimin e ndërprerjes përfundimtare të kampionatit francez, Lyon duket i dorëzuar tashmë dhe ka nisur përgatitjet për sezonin e ri, por mbi të gjitha edhe për pjesën e mbetur të Ligës së Kampionëve, në plan për t’u luajtur në muajin gusht.

Francezët do ta nisin me ndeshjen e kthimit kundër Juventusit, të vlefshme për fazën e 1/8-ave, që është parashikuar të luhet më 7 ose 8 gusht në Torino, ndërsa trajneri Rudy Garcia mund të buzëqeshë, pasi ka marrë një lajm mjaft të mirë nga infermieria.

Ylli i skuadrës Memphis Depay, i cili ishte i dëmtuar prej 6 muajsh, kur iu nënshtrua edhe një operacioni, është rikuperuar dhe ka nisur stërvitjen, ndërsa pritshmëritë janë që të jetë në formë mjaft të mirë për muajin gusht.

Holandezi e nisi mjaft mirë këtë sezon, duke shënuar 14 gola në 18 ndeshjet e zhvilluara, deri kur dëmtoi ligamentet e kryqëzuara 6 muaj më parë, në një sfidë përballë Rennes dhe u detyrua t’i nënshtrohet operacionit.