21:12 / E Enjte, 06 Shtator 2018 / indeksADMonline

Ymeri ironizon keq me Konjufcën: Le ta shohim se kush kë e ‘sosë’ në boks

Visar Ymeri, deputeti i PSD-s, ka reaguar pas deklaratave interesante të bëra sot nga Glauk Konjufca.

Shefi i GP të Lëvizjes Vetëvendsje! së fundmi është përfshirë në një debat me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

E gjithë kjo vjen pasi Haradinaj tha dje se ka guxim të përleshet fizikisht me të gjithë ata që e quajnë ”hajn”, madje edhe me Albin Kurtin, transmeton IndeksOnline.

Dhe në lidhje me këtë, tani ka shkruar edhe deputeti, Visar Ymeri.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Ymeri fillimisht tha se dialogu me Serbinë nuk duhet ta cenojë integritetin territorial të Kosovës e më pas të diskutohet ”puna e boksit”.

Postimi i plotë i Ymerit në Facebook:

Është urgjente që në Kuvend të Republikës të kthehet vendimmarrja. Është e rëndësisë jetike, dhe kogja urgjente, që Kuvendi i Republikës ta marrë përsipër mbrojtjen e saj. Përndryshe mësyerja e Thaçit në dialog pa kurrfarë mandati ia cenon Republikës karakterin e saj parlamentar, e pazaret e tij me Vuçiqin po rrezikojnë t’ia cenojnë integritetin territorial.

Platforma shtetërore për dialog nuk mund të miratohet ndryshe përveç se me 2/3 e deputetëve. Një votë e tillë do t’i jepte asaj legjitimitet demokratik ndërsa Republikës siguri nga dhe në dialog. Kjo Platformë shtetërore duhet ta përmbajë synimin dhe interesin kryesor për shtetin tonë e që është njohja e pakusht dhe e plotë e pavarësisë së Republikës nga Serbia, dhe të ravijëzojë mekanizmat strategjik negociues e elementet përbërës të marrëdhënieve mes dy shteteve të bazuara në parimet e respektit reciprok të sovranitetit e kufijve ndërkombëtar si dhe në parimet e fqinjësisë së mirë. Së dyti përmes platformës të gjitha forcat politike do të zotoheshin që do të angazhohen në ruajtjen e karakterit unitar të Republikës sonë dhe barazisë së të gjithë qytetarëve.

Po me 2/3 e deputetëve duhet të mandatohet ekipi negociator i cili ekskluzivisht do ta përfaqësonte Republikën e Kosovës në dialog, përgjegjës për t’i zbatuar parimet udhërrëfyese të Platformës dhe i obliguar të negociojë vetëm brenda saj. Ky Ekip negociator i mandatuar nga Kuvendi i përgjigjet vetëm atij, negocion në mënyrë transparente dhe mbikëqyret nga Kuvendi në secilën fazë të dialogut përmes mekanizmave të krijuar enkas për këtë mbikëqyrje.

Kështu Kuvendi do ta kishte mundësinë e pakontestueshme që të sigurohet se dialogu me Serbinë nuk e rrezikon Republikën dhe që përdoret për t’ia avancuar të drejtat dhe interesat asaj. Ndryshe, sido ndryshe, rrezikojmë shumë e nuk fitojmë asgjë.

E pastaj edhe mund të vendosim kush kë e ‘sosë’ në boks./IndeksOnline/